Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka prezantuar detaje të reja nga “Paketa e Maleve”, një nismë e qeverisë e cila synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonave malore përmes investimeve private në agro-turizëm, bujqësi dhe infrastrukturë lokale.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka prezantuar detaje të reja nga “Paketa e Maleve”, një nismë e qeverisë e cila synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonave malore përmes investimeve private në agro-turizëm, bujqësi dhe infrastrukturë lokale.


Rama këtë rast njoftoi ngritjen e një Task-Force në çdo bashki, e cila do të ketë për detyrë të ndjekë në mënyrë të vazhdueshme qytetarët dhe bizneset që kanë shprehur interes për t’u bërë pjesë e programit.

Në kuadër të kësaj pakete, Rama njoftoi gjithashtu lehtësi fiskale për 500 investitorët e parë që do të firmosin kontratat për projekte në zonat malore.

“Duhet të ngrini një Task-Forcë me tre persona në çdo bashki që të ndjekin këmba-këmbës njerëzit që shprehin interes, t’i nxisin dhe t’u lehtësojnë procesin. 500 të parët që do marrin kontratën, për 10 vjet nuk do të paguajnë asnjë lloj takse apo tatimi. Por duhet t’i ndihmojmë që të jenë te 500 të parët. Duhet t’u rrini pranë, t’i mbështesni,” tha ai.

Rama tha se janë duke përgatitur draftin për përcaktimin e granteve bazuar në performancë. Ai sqaroi se kriteri i parë do të lidhet me kontributin në rritjen ekonomike të vendit.

“S’mund të jenë të gjithë konsumatorë të rritjes. Nuk mund të jetë historia që mblidhen të ardhura nga qytetarët përmes taksave, por duhet edhe krijimi i të ardhurave të tjera. Bashkitë duhet të jenë pararojë në krijimin e të ardhurave në ekonomi,” tha Rama.

Sipas tij, këto mekanizma janë pjesë e një strategjie të re të qeverisë për të nxitur rritjen ekonomike në nivel vendor, duke u dhënë pushtetit lokal më shumë përgjegjësi dhe mjete konkrete për të gjeneruar zhvillim.