Kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, ka nënshkruar sot Kodin për zgjedhje të ndershme dhe demokratike.

Osmani tha se rezultati në Çair do të përcaktojë jo vetëm të ardhmen e komunës, por edhe pozitën e shqiptarëve në shtet për dekadat që vijnë.


“Këto zgjedhje do ta përcaktojnë të ardhmen e komunës sonë, por edhe të gjithë shqiptarëve për dhjetë, madje edhe njëzet vitet e ardhshme. Së pari, a do të fillojë më në fund Çairi të ndryshojë. A do t’i japim fund njëzet viteve të ngecjes, shkatërrimit dhe korrupsionit në komunën tonë dhe të ecim përpara me energji të re, pa korrupsion, me punë dhe përkushtim. Dhe së dyti, a do të jenë më në fund shqiptarët të përfaqësuar në mënyrë të barabartë dhe të drejtë, apo do të mbeten vasalë në një qeveri që nuk i respekton të drejtat e tyre. A do të dëgjohet zëri i shqiptarëve si komunitet i barabartë, si popull shtetformues apo do të vazhdojnë poshtërimet”, theksoi Osmani.

Osmani i ftoi qytetarët që të dalin masivisht në zgjedhje.

“Çdo votë është e rëndësishme. Ky është momenti për të thënë mjaft është. Për të thënë se pas njëzet vitesh ka ardhur koha për ndryshim. Jo vetëm të ndërrohen njerëzit, por të ndryshohet mënyra e qeverisjes, e cila duhet të jetë e ndershme, e përkushtuar, e hapur dhe bashkë me qytetarët. Por kjo do të jetë e mundur vetëm nëse të gjithë dalim masivisht dhe votojmë”, tha Osmani.

Ai theksoi se fushata e tij do të mbetet e ndershme dhe pozitive, por me një qëllim të qartë për kthimin e dinjitetit të shqiptarëve.