LAJMI I FUNDIT:

Opozita nuk dëshiron pjesëmarrje në dialog, do zgjedhje

Opozita nuk dëshiron pjesëmarrje në dialog, do zgjedhje

Partitë më të mëdha opozitare që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës, thonë se pa largimin e presidentit Hashim Thaçi nga kryesimi i dialogut me Serbinë, nuk shohin mundësi që të përfshihen në atë proces.

Përfaqësuesit e partive thonë po ashtu se edhe Qeveria, nuk ka legjitimitet që të udhëheq me dialogun pasi asaj i mungojnë numrat e duhur për të qeverisur dhe udhëhequr procese të rëndësishme për vendin.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, tha se dialogu duhet të udhëhiqet nga institucionet legjitime të vendit.


“E para, presidenti nuk ka legjitimitet kushtetues që të udhëheq me procesin e dialogut. Ai e ka uzurpuar ketë proces. E dyta LDK-ja ka konstatuar që Kosova është në një krizë institucionale. Kjo qeveri nuk ka shumicën parlamentare për të qeverisur me vendin, prandaj nuk ka edhe legjitimitet as qeveria për të udhëhequr me një proces kaq të rëndësishëm e kaq të ndjeshëm siç është procesi i dialogut. Për LDK-në, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet, zgjedhje të cilat do të derivonin më pas institucione kredibile dhe legjitime”, tha Selmanaj.

Selmanaj thotë se me mbajtjen e një procesi të ri zgjedhor, mund të ketë institucione të cilat mund ta udhëheqin procesin e dialogut me Serbinë.

“Nuk ka formë tjetër që e bën LDK-në pjesë të procesit të dialogut. Ne po konsiderojmë se kjo qeveri është e minorancës, po konsiderojmë se presidenti ka uzurpuar procesin e dialogut dhe prandaj vetëm zgjedhjet janë ato të cilat e kthejnë besimin të sovrani për të treguar se kush ka mandat të plotë për të udhëhequr edhe ketë proces kaq delikat për Kosovën”, tha Selmanaj.

Qeveria e Kosovës ka një platformë për dialogun politik me Serbinë. Në platformën e hartuar, roli udhëheqës i është besuar presidentit të shtetit. Ky i fundit sipas platformës, obligohet që në baza të rregullta ta informojë Kuvendin e Kosovës për bisedimet që zhvillohen në Bruksel.

Në Lëvizjen Vetëvendosje, thonë se para se gjithash, procesit të dialogut duhet t’i bëhet një vlerësim për të parë se sa janë zbatuar marrëveshjet e arritura.

Deputetja Arbërie Nagavci, tha se po ashtu për ketë proces duhet të ketë një konsensus të përgjithshëm.

“Lëvizja e ka bërë të qartë qëndrimin e vet në raport me dialogun me Serbinë. Ne mendojmë se është shumë e rëndësishme që si hap i parë të behtë vlerësimi i gjithë procesit neper vite. Pastaj është me rendësi që të kemi një konsensus të përgjithshme përfshirë këtu edhe akademikët edhe gjithë spektrin politike, qytetaret do të thotë përfaqësues të institucioneve të rëndësishme të vendit në lidhje me platformën për dialogun dhe sigurisht edhe ekipi negociator të përbehet nga persona që janë me kredibilitet e integritet edhe personal edhe profesional”.

“Vetëm në këto rrethana lëvizja do të mund të shqyrtonte mundësinë e vet që të bëhet pjesë e dialogut në të ardhmen”, tha Nagavci.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje partive parlamentare që të marrin përgjegjësitë e veta kushtetuese dhe ligjore në fazën përmbyllëse të dialogut me Serbinë që po zhvillohet në Bruksel, me lehtësimin e Bashkimit Evropian. Por, këto thirrje i kanë kundërshtuar në vazhdimësi partitë politike opozitare.

Nagavci thotë se ajo që shihet aktualisht nga Thaçi në këtë proces, është se ai as nuk ka platformë e as ekip negociator, por vetëm një projekt personal i tij.

“Hashim Thaçi tash më është e qartë se është i papranueshme jo si emër, por për shkak se ky person gjatë gjithë kokës ka pasur interesin personal para interesit të vendit. Nuk është as pak kredibil për të udhëhequr bisedimet me tutje kështu që në raport me Hashim Thaçin Lëvizja nuk mund të behet pjesë e pazareve dhe projekteve që janë krejtësisht personale të tij”, tha ajo.

Edhe në Partinë Socialdemokrate, thonë se është e pakuptimtë që një proces i zhvilluar keq për aq shumë vite, të vazhdojë ta anashkalojë organin më të lartë në vend, Kuvendin e Kosovës. PSD-ja thotë se përkrah dialogun, por jo formatin e deritashëm të tij.

Deputeti Dardan Molliqaj ka deklaruar se qeveria, por edhe presidenti me qasjen e tyre po tregojnë se nuk duan të kenë një konsensus dhe platformë të përbashkët për dialogun.

“Nuk mund të shkojmë në procesin e dialogut për një konsensus më të gjerë për platformën. Zakonisht Kosova ka bërë konsensus për njerëzit për ekipe dhe për përfaqësues. Ajo çka duhet është konsensus për çështjen e platformës për temat me të cilat do të flasim. Ne nuk mund të bëhemi bisht i askujt. Pa koordinim nuk ka ecje përpara”, ka deklaruar Molliqaj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi vazhdon të insistojë në nevojën e arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë, e cila sipas tij, do t’i siguronte Kosovës ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe do t’i hapte perspektivën integruese në NATO dhe në Bashkim Evropian.

Por, angazhimi i Thaçit në dialog, po sfidohet nga opozita, e cila nuk po e mbështetë koalicionin qeverisës në Kuvendin e Kosovës që të emërojë një ekip negociator i cili krahas presidentit Thaçi do të përfshihej në bisedimet me Serbinë.

Kushti i opozitës, mbetet që fillimisht Thaçit t’i ndalohet zbatimi eventual i projektit për korrigjimin e kufirit të Kosovës, që do të dilte si produkt i një marrëveshjeje eventuale me Beogradin.

Në Kuvendin e Kosovës, partitë në pushtet kërkojnë që Kuvendi të emërojë ekipin negociator për dialogun me Serbinë të propozuar nga Qeveria, kurse opozita anën tjetër kërkon miratimin e një rezolute lidhur me angazhimet e presidentit Hashim Thaçi për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Aktualisht, Kosova dhe Serbia janë futur në fazën finale të dialogut, në të cilën është paralajmëruar edhe arritja e një marrëveshjeje finale që do të nënkuptonte normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve./rel/Telegrafi/