Programi i televizionit N1, që është një nga programet e rralla televizive me qëndrim kritik ndaj autoriteteve në Serbi – në pronësi të The United Group – nuk mund të shihet më në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë. Kjo është pasojë e transaksionit të kryer nga MTS, një degë e Telekomit të Serbisë, që bleu të gjithë operatorët kabllorë që mbulonin komunat e banuara me serbë në jug të lumit Ibër.
Transaksioni u konfirmua më 7 tetor nga drejtori i përgjithshëm i Telekomit të Serbisë, Vlladimir Lluçiq. Ai deklaroi për agjencinë e lajmeve Tanjug se MTS një degë e Telekomit të Serbisë, mori përsipër “të gjithë operatorët kabllorë në mjediset serbe në Kosovë”.
MTS është kompani e themeluar në vitin 2015, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë. Në krye të kësaj kompanie janë kryesisht njerëzit që janë të afërt me pushtetin aktual në Serbi, ndërkaq që Telekomi i Serbisë është themelues, me pjesëmarrje prej 100 për qind.
Pas blerjes, në vitin 2019 të të gjithë operatorëve kryesorë në veri të Kosovës, ku jeton popullata shumicë serbe, e njëjta gjë tashmë është bërë me operatorët kabllorë që operojnë në mjediset e banuara me shumicë serbe në jug të lumit Ibër.
Por, Komisioni i Pavarur i Medieve i Kosovës (KPM) pretendon se MTS nuk është operatori i vetëm që operon në mjediset me shumicë serbe në Kosovë dhe shton se kërkesa e fundit e operatorit Herc, për të transferuar kompetencat e saj në kompaninë MTS, nuk është miratuar.
A është MTS operatori i vetëm?
Herc, që është një nga operatorët kabllor më të mëdhenj në anën jugore të lumit Ibër, javën e kaluar ia ka dorëzuar biznesin e saj kompanisë MTS e cila, përveç N1, e hoqi menjëherë nga oferta kanalin Nova S, i cili gjithashtu është në pronësi të The United Group.
Megjithatë, ky kanal i dytë, ndërkohë është kthyer dhe është i qasshëm për shikuesit në pjesën qendrore të Kosovës.
Në kompaninë Herc nuk kanë dashur që të japin kurrfarë deklarate për Radion Evropa e Lirë, me shpjegimin se, “MTS tani është përgjegjës për të gjitha deklaratat”, edhe pse vetëm pak ditë më parë ata i thanë Radiotelevizionit lokal KIM nga Çagllavica, në afërsi të Prishtinës, se kanalet N1 dhe Nova S ishin përjashtuar nga oferta për “shkaqe teknike”.
Radio Evropa e Lirë më pas i është drejtuar Zoran Millojeviqit, i cili, deri para disa muaj, ishte drejtor i degës së kompanisë së Telekomit në Mitrovicën e Veriut, por ai tha se nuk kishte të bënte me kompaninë e përmendur dhe tha se drejtor është Dejan Ognjenoviq.
Ognjenoviq, nga ana tjetër, nuk donte t’u përgjigjej pyetjeve përmes telefonit, por kërkoi që pyetjet t’i parashtrohen me shkrim.
Po ashtu, i është dërguar Ognjenoviqit pyetjet me shkrim, por përgjigjet në pyetjet “nëse MTS është operatori i vetëm në mjediset me shumicë serbe në Kosovë” dhe “pse N1 u përjashtua nga oferta televizive”, nuk kanë arritur deri në publikimin e këtij teksti.
A është dhënë një leje?
KPM konfirmon se disa muaj më parë ajo mori një kërkesë nga operatori Herc me seli në Shtërpcë, komunë kjo e banuar me shumicë serbe, për t’i transferuar pronësinë e saj operatorit MTS, por ky komision ka theksuar që ajo “kërkesë u refuzua për shkak të dokumentacionit jo të plotë”.
Komisioni i Pavarur për Media pohon se MTS nuk është operatori i vetëm që operon në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë, por se ekzistojnë edhe katër operatorë të tjerë të licencuar.
Nga ky komision theksojnë se Rregullorja për shpërndarjen e shërbimeve të medieve audio dhe audio-vizuale, përcakton që operatorët, pa kompensim, duhet t’i transmetojnë kanalet e shërbimeve publike, si dhe kanalet e tjera komerciale me transmetim tokësor, të cilat kanë statusin e transmetimit të detyrueshëm.
“Ofruesit e shërbimeve të medieve audio-vizuale me transmetim tokësor lokal dhe rajonal gëzojnë statusin e transmetimit të detyrueshëm përmes të gjithë operatorëve të shpërndarjes që veprojnë në atë komunë ose rajonin përkatës”, thotë nga KPM-ja.
Kush qëndron pas kompanisë MTS në Kosovë?
Kompania MTS u themelua në tetor të vitit 2015, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për telekomunikacionin. Selia e kompanisë është në Mitrovicën e Veriut dhe deri vonë, kreu i kësaj kompanie ishte Zoran Millojeviq – Zelja, përndryshe zyrtar në Partinë Progresive Serbe (SNS), në krye të së cilës është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Millojeviq më herët ka qenë i angazhuar në Zyrën për Kosovën e Qeverisë së Serbisë.
Pas marrjes së të gjithë operatorëve kryesorë kabllorë në veri të Kosovës, kompania MTS është zgjeruar muajt e fundit në mjediset e banuara me shumicë serbe, në gjashtë komuna, në anën jugore të lumit Ibër.
Komenti nga N1
Igor Bozhiq, drejtor i televizionit N1 për Serbinë, vlerëson se “blerja e operatorëve të vegjël në mjediset e banuara me serbë në Kosovë nga filiali i MTS-së është një lloj zbatimi i politikës së Telekomit shtetëror në Serbi”.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ai thekson që se kjo kompani ka punuar për më shumë se dy vjet për të shtypur dukshmërinë në Serbi, “ndërkaq tani këtë e shohim edhe në Kosovë”.
Bozhiq sqaron se operatorët serbë në Kosovë kanë pasur mundësinë që të transmetojnë televizionin N1, ndonëse ata vet nuk kanë pasur ndonjë marrëveshje konkrete.
Deri dy vjet më parë, në bazë të detyrimeve kontraktuese, N1 transmetohej përmes operatorit të madh kabllor të pavarur “Copernicus”, i cili më pas është blerë nga kompania Telekomi i Serbisë.
“Kur ata i blenë ata operatorë, në fakt kanë pritur që të skadonte kontrata dhe më pas anuluan programin tonë. Në Serbi, ata praktikisht po zvogëlojnë shikueshmërinë tonë në rreth 300 mijë familje, aq sa në atë kohë mund të shiheshin nga familjet, përmes atyre dy operatorëve që ishin blerë”, thotë Bozhiq.
Ai më tej sqaron që Telekomi ofroi të transmetonte televizionin N1 falas “që është në kundërshtim me biznesin kabllor që ekziston në Serbi”.
“Ishte e qartë se pronarët e kanalit tonë nuk mund të jepnin falas dhe u ofrua çmimi minimal për N1, por Telekomi refuzoi”, shton ai.
A ka raste të ngjashme?
Vetëm rreth dy vjet më parë, RTV Mir (RTV Paqja) nga Leposaviqi, në veri të Kosovës, u shkëput nga sistemi kabllor, pasi filiali i kompanisë MTS bleu rrjetet më të mëdha kabllore në atë pjesë të vendit (VGN, Impuls dhe SAT).
Pastaj, këtij televizion lokal, i cili konsiderohet si i pavarur, iu shkyç dhe interneti, kështu që iu pamundësua transmetimi i programeve.
Më pas, RTV Mir ngriti padi ndaj MTS dhe në fund të dy palët ranë dakord për gjithçka. RTV Mir u tërhoq nga padia dhe dëmshpërblimet, ndërkaq MTS e ka kthyer këtë kanal në ofertën e tij.
“Unë nuk do të kërkoj më asgjë në lidhje me kompensimin e dëmeve. Ata e zbatuan atë që morën si vendim dhe e kthyen RTV Mir në kuadër”, thotë drejtori i televizionit MIR, Nenad Radosavleviq.
Ai edhe më tej pretendon që arsyeja fillestare për shkëputjen e RTV Mir nga sistemi kabllor ishte i një natyre politike, ndonëse, më pas, shkëputjen ia arsyetuan si “konsolidim të operatorëve kabllorë”.
“Ata operatorë kabllorë u blenë dhe pastaj ata duhet të bashkoheshin, ky ishte shpjegimi i tyre. Megjithatë, disa televizione lokale, si TV Most, nuk u shkyçën”, thotë Radosavleviq dhe sërish pohon se në fakt, kjo kishte ndodhur “për arsye politike, sepse Mir është një televizion i pavarur, i cili në mënyrë të barabartë i dha hapësirë opozitës dhe pushtetit”.
“Unë me këtë arsyetim u përfaqësova edhe në gjykatë, por ja që erdhi deri te ndryshimi i qëndrimeve dhe në fund erdhëm deri te marrëveshja e përbashkët”, thekson ai.
Nga Komisioni i Pavarur i Medieve thonë se janë të njohur me rastin e RTV MIR dhe shtojnë se ky televizion ka të drejtën e transmetimit tokësor, në kategorinë rajonale dhe se të gjithë operatorët e licencuar që veprojnë në rajon duhet ta përfshijnë atë në paketën e tyre të kanaleve, sepse e “gëzon statusin e transmetimit të detyrueshëm”.
Ata deklarojnë se KPM -ja mbajti bisedime me palët e përmendura për të zgjidhur problemin dhe se më 6 gusht 2021, u informuan se ishin kthyer në listën e kanaleve dhe se “problemi ishte zgjidhur”.
Drejtori i RTV KIM nga Çagllavica, në afërsi të Prishtinës, Isak Vorguçiq, konsideron se nuk është problem që në periudhën e ardhshme mund të ketë vetëm një operator kabllor, por thekson që “nuk do të ishte mirë të keqpërdoret ai status dhe që ai operator të përcaktojnë kush shkon përmes kabllorit dhe kush jo”.
Megjithatë, ai konsideron që probleme të tilla nuk do të ndodhin, sepse RTV KIM duhet të transmetohet nga të gjithë shpërndarësit kabllorë.
“Me sa di unë dhe me aq sa kam informacione, gjithçka që ka të bëjë me televizionin KIM dhe pronarët e rinj, do të mbetet e njëjtë, siç ka qenë deri më tani”, thotë Vorguçiq.
Sa media në gjuhën serbe ka në Kosovë?
Në Kosovë ekziston kanali i dytë i Radio Televizionit të Kosovës (RTK2), i cili funksionon në kuadër të Shërbyesit Publik dhe që transmeton program në gjuhën serbe gjatë gjithë ditës.
Gjithashtu, brenda Shërbyesit Publik funksionon Radio Kosova, ku një program dy orësh në gjuhën serbe transmetohet çdo ditë, në valët e një kanali tjetër të kësaj radioje.
Përveç Shërbyesit Publik, ka edhe kanale televizive dhe radio stacione lokale, si dhe portale, të cilat kryesisht janë krijuar me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim të informimit të komunitetit serb.
Ekziston edhe ndërmarrja publike Mrezha Most në Beograd (Rrjeti Ura), e themeluar me vendim të Qeverisë së Serbisë në vitin 2010, në kuadër të së cilës në hapësirën e Kosovës funksionojnë gjashtë media, tri televizione dhe tri radio stacione: TV Most nga Zveçani, Radio dhe TV Puls nga Shillova, Radio Mitrovica e Kosovës dhe Radio TV Graçanica.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëBanka Ekonomike akoma më afër qytetarëve, shtrin rrënjët në Mitrovicën e Veriut
Bëhu SMS – Trajnimi i ri i Hallakate për ndërtimin e strategjisë në rrjete sociale
ZRRE merr vendim që për sezonin 2024/2025 konsumatorët do të paguajnë njëjtë për ngrohje
Suksesi në rrota - PEUGEOT E-5008 shpallet vetura më e mirë familjare në 2024!
Elfbar, zgjedhja e përkryer për dashamirët e shijes së Vape
Edhe pse nuk duhet ta zotërojnë atë, bankat kanë fituar para të mira nga rritja e madhe e Bitcoinit
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Platforma ku mund ta shikoni duelin e vitit Jake Paul - Mike Tyson
Cristiano Ronaldo po largohet nga Al Nassr shkaku i garës së FIFA-s
Publikohet lista e plotë me rregullat kontroverse për luftën Mike Tyson - Jake Paul
Trump dëshiron ta mbyllë Departamentin e Arsimit - çfarë do të thotë kjo për edukimin shkollor
Ledri Vula e pranon se ka fjetur me një fanse
John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët