Operatori ekonomik dhe zyrtarët e Prizrenit shqyrtojnë progresin në hartimin e Planit Zhvillimor Komunal

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se të premten është mbajtur takimi konsultativ lidhur me progresin në hartimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK).
Sipas njoftimit, në këtë takim është theksuar rëndësia e hartimit të draftit final të PZHK-së dhe përfshirjes së të gjithë akterëve në procesin e planifikimit.
“Takimi shërbeu për t’i përshpejtuar hapat e mëtejshëm dhe për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm e gjithëpërfshirës për Komunën e Prizrenit”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Në këtë takim operatori ekonomik i kontraktuar për hartimin e PZHK-së ka prezantuar procesin e punës dhe aktivitetet e përgatitjes së këtij Plani.
Procesi i prokurimit për hartimin e PZHK-së nga Komuna e Prizrenit është iniciuar në fund të vitit 2023. Ndërkaq operatori përkatës është kontraktuar në mars të vitit 2024. Vlera e kësaj kontrate sipas njoftimit të publikuar në platformën e prokurimit elektronik është 385 mijë euro. /Telegrafi/



















































