Operacioni “Lockdown” finalizohet me sukses, goditet grup kriminal që trafikonte armë nga Kosova në Tiranë

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Lockdown”, pas një hetimi 2-mujor me metoda proaktive nga Komisariati i Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Prokurorinë.
Sipas Policisë, operacioni ka goditur një grup kriminal që dyshohet se trafikonte dhe shiste armë zjarri në Tiranë, të trafikuara kryesisht nga Kosova.
Në kuadër të këtij operacioni, janë vënë në pranga katër shtetas: G. N., 39 vjeç, R. R., 48 vjeç, K. C., 49 vjeç dhe A. C., 45 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
“Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin armë zjarri kryesisht nga Kosova, i sillnin ato në Tiranë dhe më pas modifikoheshin dhe magazinoheshin në Selitë,” thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit të ambienteve të përshtatura si baza për aktivitet kriminal, Policia ka sekuestruar: 8 armë zjarri (5 pistoleta dhe 3 automatikë), pjesë të ndryshme armësh, një armë gjahu, krehra dhe municion luftarak, 3 radio si ato të policisë, një jelek multifunksional dhe 9 celularë.
“Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë finalizuar me sukses operacionin policor ‘Lockdown’,” thuhet në njoftim.
Policia njofton se punon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ndërsa materialet procedurale janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/











































