LAJMI I FUNDIT:

O’Connell për demarkacionin: Të merren parasysh faktet, jo dëshirat

O’Connell për demarkacionin: Të merren parasysh faktet, jo dëshirat

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairí O’Connell, në një bashkëbisedim me qytetarë ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave është e lidhur ngushtë me Demarkacionin me Malin e Zi.

O’Connell në një bashkëbisedim me qytetarë në Facebook ka thënë se nëse Kosova dëshiron të shfrytëzoj liberalizimin e vizave duhet të përmbush kriteret që i ka paraqitur Bashkimi Evropian.

“Çështja e demarkacionit është çështje bilaterale në mes të Kosovës dhe Malit te Zi. Grupi i Shengenit brenda Bashkimit Evropian ka dhënë si kusht për liberalizimin e vizave. D.m.th që nëse Kosova dëshiron të shfrytëzoj liberalizimin e vizave duhet të përmbush kriteret që i ka paraqitur Bashkimi Evropian. Por unë kam thënë disa herë që për këtë çështje ashtu sikurse edhe çështjet tjera duhet të merren parasysh faktet, jo dëshirat”, ka shkruar O’Connell në Facebook.


Ambasadori britanik i është përgjigjur edhe në pyetje lidhur me atë se sa kanë të drejtë ambasadorët të bëjnë thirrje për ratifikimin e marrëveshjeve.

“Le të jemi të saktë që nuk është kori diplomatik që bën thirrje për këto çështje. Ne ambasadorët jemi përfaqësues të shteteve tona. Grupi Shengen ka dhënë si kusht demarkacionin për kufirin me Malin e Zi. Nuk pajtohem me juve që kjo marrëveshje është e dëmshme për shtetin ose për sovranitetin e Kosovës. I kam lexuar raportet disa herë që ka vërtetuar se asgjë nuk ka ndryshuar me demarkacionin. Është  kompetencë e një ambasadori për të shpjeguar kushtet e marrëveshjes ose për me shpjegu politikën e vendit të tyre. Shtetet e Shengenit dhe Bashkimi Evropian kanë të drejtë të thonë që kjo është kusht për liberalizimin e vizave. Dhe nëse Kosova dëshiron të shfrytëzojë ofertën e Bashkimit Evropian duhet të plotësoj kushtet. Por me atë marrëveshje asgjë nuk ka ndryshuar. Kosova nuk ka humbur asnjë pëllëmbë  toke. Unë pajtohem me ju, Kosova ka një mori sfidash, si mungesa e punësimit, ekonomia e dobët, mungesa e sundimit te ligjit dhe korrupsioni. Unë mendoj që më mirë të shfrytëzojmë energjinë politike kundër këtyre problemeve”, është përgjigjur ambasadori britanik. /Telegrafi/