OBRM-PDUKM: Krerët e sindikatave marrin rroga të majme dhe nuk u intereson punëtori

Në prag të protestave të paralajmëruara nga ana e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, partia në pushtet, OBRM-PDUKM ka vazhduar akuzat ndaj sindikalistëve. Sindikatat morën vendim që më 2 prill të dalin në protesta, pas vendimit të Qeverisë për rritjen e pagës minimale, ku nuk u pranuan kërkesat e sindikalistëve.
Por, nga OBRM-PDUKM akuzuan se kryetari dhe nënkryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafillov dhe Ivan Peshev si dhe Trpe Deanovski nga Sinidkata e punonjësve të administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatës së qytetarëve janë dorë e zgjatur e LSDM-së, BDI-së dhe Levicës dhe kanë të ardhura rreth 5 mijë euro. Prandaj, sipas tyre, punëtorët nuk kanë përfaqësues të besueshëm, pasi sindikalistët nuk janë të shqetësuar për punëtorët dhe i shërbejnë opozitës.
“Sindikalistëve me bateri nuk u intereson punëtori, por u interesojnë të ardhurat e tyre milionëshe të cilat i marrin në formë të pagës dhe shtesave të tjera. Këto sindikalistë të rremë punojnë vetëm në drejtim të opozitës, ndërsa dëshmi për këtë është heshtja e tyre. Pyetja është pse Peshevski në kohën e qeverisjes së kaluar, për të cilën ai vetë thotë se e ka rritur koston e jetesës për 200 euro në një vit nga 2023 në 2024, nuk ka dalë në protestë dhe pastaj nuk ka kërkuar nga të njëjtët që i mbrojnë sot ta rrisin pagën minimale për 200 euro? Pse atëherë LSM, e udhëhequr nga Trendafilov, nuk bëri thirrje për protesta, por thjesht heshti me mençuri?”, thonë nga OBRM-PDUKM.








































