Nuk i bindet urdhrave të policit, madje e qëllon me armë – zyrtari policor në Tennessee i kundërpërgjigjet gruas që humbi jetën nga plagët e marra

Një grua në Tennessee të SHBA-ve është qëlluar për vdekje dhe një polic është dërguar me urgjencë në spital për tretman, pas të shtënave me armë që kanë ndodhur në një parking.
Pamjet e publikuara shfaqin policin e Nashville, Josh Baker dhe Nika N. Holbert, 31-vjeçe, ku veterani i policisë e qëllon me elektroshok gruan e cila urdhërohet të del nga vetura, transmeton Telegrafi.
E derisa Baker tenton ta arrestoj gruan, ajo bërtet dhe arrin ta kap revolen duke hapur zjarr mbi zyrtarin policor – i cili i kundërpërgjigjet duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
“Zonjë, do të godasë me elektroshok”, dëgjohet Baker duke ia bërë me dije Holbertit, e cila tenton të arratiset derisa polici mundohet t’i vë prangat.
Ajo madje në një moment e nxjerr një cigare për ta tymosur, duke injoruar plotësisht urdhrat e policit që i kërkon të mos i afrohet veturës.
Megjithatë, arrin të futet brenda veturës përkundër faktit që goditet me elektroshok. Holbert edhe nxjerr revolen dhe e qëllon zyrtarin policor, e menjëherë sulmuesja ndez veturën dhe tenton të arratiset.
Nga plagët e marra nga arma e zjarrit të zyrtarit policor ajo është shpallur me vonë e vdekur. Kurse Baker që kishte veshur jelek antiplumb pas intervenimit kirurgjik është rikthyer në dhomën e spitalit për t’u çlodhur.
Gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë stabile, e mos të kishte qenë jeleku antiplumb ai sigurisht se tashmë do të ishte i vdekur. /Telegrafi/
















































