Kampioni i Kosovës, Drita, ka marrë një pikë të vlefshme në përballjen ndaj Omonias nga Qiproja, në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës, në përballjen që përfundoi me rezultat 1-1.

Golin e epërsisë për Dritën e realizoi Arb Manaj në minutën e 12-të, pas një harkimi perfekt nga Besnik Krasniqi. Sulmuesi klinas goditi saktë me kokë, duke e dërguar topin në rrjetë dhe duke ndezur atmosferën në stadium.


Në fund të pjesës së parë, Omonia arriti të barazojë me anë të Giannis Masouras (45’), i cili shfrytëzoi një hutim në mbrojtjen e Dritës pas një rivënie këndore nga Ewandro.


Në pjesën e dytë, loja u bë më e kujdesshme nga të dyja skuadrat. Drita mbrojti me vendosmëri dhe arriti ta ruajë rezultatin deri në fund, duke siguruar një pikë të vlefshme ndaj një kundërshtari me përvojë evropiane.

Performanca e Arb Manajt u vlerësua si më e mira në ndeshje, me notën 8.2, falë golit të shënuar dhe punës së madhe në repartin ofensiv.

Pas tij, Blerton Sheji mori notën 7.1 për paraqitjen solide në mesfushë, ndërsa Jorgo Pellumbi dhe Raddy Ovouka u vlerësuan me nga 7.0, për kontributin në mbrojtje dhe vendosjen taktike gjatë gjithë lojës.

Një barazim që i jep Dritës jo vetëm një pikë, por edhe vetëbesim për vazhdimin e garave në Evropë. /Telegrafi/

telegrafi sport app