Përfundimi i karrierës sportive të Nora Gjakova nuk është thjesht mbyllja e një kapitulli individual, por një dëshmi e fortë se suksesi i xhudos kosovare nuk ka qenë kurrë rastësi. Nora e ka konfirmuar atë që shumëkush e ka kuptuar me kohë: suksesi i Majlinda Kelmendit nuk ishte një përjashtim i rrallë, por rezultat i punës, sistemit dhe mendësisë së ndërtuar me vite.

Nora Gjakova ishte, dhe mbetet, një nga sportistet më strategjike dhe më gjakftohta që ka nxjerrë sporti ynë. Në një mentalitet ballkanik ku shpesh kërkohet fitorja e shpejtë dhe emocioni i menjëhershëm, ajo diti të fitojë aty ku fitoret janë më të vështira: në momentet e fundit, me durim, me kontroll dhe me inteligjencë taktike. Luftërat e saj rrallëherë ishin të lexueshme. Ishte e vështirë të kuptoje se ku po shkonte dhe çfarë po përgatiste - teknikat i nxirrte një nga një, si magjistari truqet nga mëngët.


Paleta e Norës ishte e pasur dhe e plotë: fshirje, hedhje, kontra, kapje dhe kontroll në parter. Pikërisht kjo e bënte të paparashikueshme dhe të rrezikshme për çdo kundërshtare. Nuk ishte sportiste e ndërtuar mbi një teknikë të vetme, por mbi lexim loje, qetësi dhe zgjuarsi - cilësi që dallojnë kampionët e mëdhenj nga fituesit e rastit.

Si shoqëri, të zhytur në politikë, zgjedhje dhe debate të përditshme, nuk ia dolëm ta festonim këtë karrierë ashtu siç e meritonte. Një sportiste e këtij niveli do të duhej të përcillej me një video dinjitoze, me transmetim publik, me një pritje shtetërore dhe me një festë që i flet brezave të rinj për atë se çfarë arrihet me punë. Nora Gjakova nga Peja ishte suksesi i dytë olimpik i xhudos kosovare - dhe ky “i dyti” është pikërisht prova se rezultatet nuk janë aksident, por vazhdimësi.

Po aq domethënëse është edhe mungesa e një nderimi simbolik institucional. Në të njëjtin park ku është nderuar Majlinda Kelmendi, edhe Nora Gjakova e meriton statujën e saj. Jo si akt krahasimi, por si akt vazhdimësie. Monumentet publike nuk janë dekor; ato janë mesazh. Ato u tregojnë brezave se çfarë vlerëson kjo shoqëri. Nëse Majlinda ishte hapja e rrugës, Nora ishte dëshmia se ajo rrugë u shndërrua në traditë.

Krahasimi mes Norës dhe Majlindës është i pashmangshëm, por i drejtë vetëm nëse bëhet me respekt. Dy stile të ndryshme, dy qasje të ndryshme, por i njëjti destinacion: tituj olimpikë, botërorë, evropianë dhe një histori që e tejkalon individin. Majlinda ishte pishtari; Nora ishte vazhdimi i dritës.

Kam pasur fatin të punoj me ekipin dhe ta shoh Norën edhe jashtë tatamit: me buzëqeshje, qetësi, disiplinë dhe intelekt. Këto janë vlera që nuk maten me medalje, por që sot janë ndoshta trashëgimia e saj më e rëndësishme. Janë këto vlera që ajo do t’i shpërndajë tani te gjeneratat e reja - qoftë si trajnere, qoftë si shembull.

Nora Gjakova do t’i mungojë garës, do t’i mungojë xhudos si spektakël, por ajo nuk largohet nga sporti. Ajo largohet nga tatami si kampione dhe mbetet në histori si provë e gjallë se puna prodhon kampionë - jo rastësia.

Sa për kimonon e nënshkruar që ma ka premtuar - ende po e pres. Jo si ankesë, por si kujtim i një raporti njerëzor me një kampione që, edhe në këtë detaj të vogël, mbetet plotësisht njerëzore.