Njësia A5 e Termocentralit Kosova A rikthehet në operim
Njësia A5 e Termocentralit Kosova A është rikthyer sot në operim pas një serie ndërhyrjesh teknike të planifikuara me sukses.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton se njësia është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 10:03 të mëngjesit.
Punimet përfshinë sanimin e rrjedhjeve në ritejnxehëse dhe ekonomajzer (ngrohës i ujit) dhe në ekranet e kaldajës, pastrimin me pompë të ftohësve të hidrogjenit, mirëmbajtje në pajisjet e sistemit MRRK, dhe pastrimin e kuotave rreth kaldajës për rritjen e sigurisë dhe efikasitetit.
Kryeshefi Ekzekutiv i KEK, Gramos Hashani, falënderoi ekipet teknike.
“Edhe ky rast tregon përgjegjësinë që bartin punonjësit e KEK-ut, të cilët, edhe në ditë pushimi, nuk kursejnë as përpjekjet e as profesionalizmin për të mbështetur sistemin energjetik të vendit. Ju falënderoj për angazhimin dhe jam krenar për punën që keni bërë!”, thuhet në njoftimin për media të dërguar nga KEK.
KEK ka sqaruar se gjatë startimit, që zgjat 3-4 orë, mund të ketë rritje të përkohshme të emetimeve, për shkak të procesit teknologjik të djegies që fillon me naftë dhe pastaj kalon në linjit.
Sipas njoftimit, “kjo është një dukuri e zakonshme dhe teknologjikisht e pashmangshme në të gjitha termocentralet e këtij lloji, brenda dhe jashtë vendit.”
Në fotografitë e bashkëngjitura, vihet re se njësia është tashmë e stabilizuar dhe tymi është zhdukur, duke konfirmuar përfundimin e suksesshëm të fazës së startimit.
KEK siguron qytetarët se proceset kryhen me kujdes të shtuar dhe mbikëqyrje të vazhdueshme, duke garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe siguri teknike. /Telegrafi/






























