Një veturë është përplasur në portën e ambasadës ruse në Bukuresht të Rumanisë, duke bërë që mjeti motorik të përfshihet nga zjarri dhe personi i paidentifikuar që ishte brenda të humb jetën, ka njoftuar policia rumune.
Siç raporton AP, vetura u përplas në portën e ambasadës rreth orës 6 të mëngjesit të sotëm, por se nuk ka arritur të depërtoj brenda oborrit të ambasadës në Bukuresht, transmeton Telegrafi.
Një video shfaq veturën e përfshirë nga zjarri, si dhe personelin e ambasadës që vrapon drejt portës.
Sipas policisë rumune, zjarrfikësit kanë arritur menjëherë në vendin e ngjarjes për ta lokalizuar zjarrin, por aty konstatuan se shoferi që ishte brenda ka ndërruar jetë.
Deri më tani nuk dihen motivet e këtij veprimi, ndërsa Rumania kufizohet me Ukrainën dhe ka pranuar mbi 600 mijë refugjatë që kur Rusia filloi pushtimin e Ukrainës. /Telegrafi/