Site icon Telegrafi

“Një sprovë e fortë, por nuk kemi ardhur për shëtitje” – Ramadani tregon se çfarë pret nga ndeshje me Legian

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka folur në konferencë për media para ndeshjes me Legia Varshavën, duke thënë se gjilanasit nuk kanë udhëtuar të dorëzuar dhe do t’i provojnë shanset.  

Dueli mes Legias dhe Dritës zhvillohet të enjten në Varshavë, kurse fituesi në play-off do ta sigurojë paraqitjen në grupet e Ligës së Konferencës. 

Drita nuk lufton vetëm për prestigjë në këtë ndeshje, por edhe për shuma të mëdha parash, pasi grupet sigurojnë afërisht 3 milionë euro. 

“Dihet që kjo ndeshje për ne është një sprovë e fortë. Përballë kemi Legian, një skuadër që në vendin tonë kur është përmendur futbolli polak, gjithmonë na ka shkuar mendja në dy gjëra, në Lewandowskin dhe në Legian. E dimë që është një ekip i madh, por ne nuk kemi ardhur vetëm për shëtitje”, ka thënë fillimisht Ramadani. 

Drita deri tani ka eliminuar klube si Breidablik dhe Auda, duke i rritur apetitet.  

“Ne këtu vijmë pas dy fitoreve në raundin e dytë dhe në raundin e tretë. Në katër ndeshje kemi arritur tre fitore dhe një humbje, kështu që besoj tek ekipi im. Por respekti ndaj ekipit kundërshtar është deri në momentin kur fillon ndeshja”.  

“Pastaj aty brenda kam kërkuar nga futbollistët që të japin maksimumin dhe ta ndiejnë e ta shijojnë këtë ndeshje. Normal që favorit absolut është Legia, mirëpo ne nuk kemi çfarë të humbim, vetëm mund të fitojmë shumë”, deklaroi Ramadani.  

Trajneri shkupjan ka folur edhe për përkrahjen që Legia do ta ketë nga tribunat, ndërsa tifozët e kësaj skuadre njihen për parullat e shpeshta anti Kosovë.  

“Për atmosferën që krijojnë tifozët e Legias ne e dimë dhe e kemi parë. Por, kemi folur me futbollistët për ta përgatitur në aspektin psikologjik sa më mirë ndeshjen, dhe thjesht, që ata tifozë t’i kthejmë në motivim shtesë”, përfundoi Ramadani. /Telegrafi/  

Exit mobile version