Një muaj paraburgim për të miturin në Ferizaj që kontrabandonte migrantë kinezë

Gjykata Themelore e Ferizajt ka caktuar një muaj paraburgim për një të mitur të akuzuar për kontrabandim të migrantëve.
Sipas njoftimit të gjykatës, më 21 tetor, i mituri kishte organizuar kalimin e jashtëligjshëm të pesë personave me shtetësi kineze përmes pikëkalimit Kosovë–Maqedoni e Veriut.
Komunikata e gjykatës sqaron se i mituri kishte takuar fillimisht migrantët në Serbi dhe kishte arritur marrëveshje për të marrë 20 euro për secilin person. Pas kësaj, ai ishte përgjegjës për transportin e tyre drejt Kosovës.
Më pas, i mituri siguroi një automjet, i cili u drejtua nga një person ende i panjohur. Në automjet u vendosën të gjithë migrantët dhe u drejtuan drejt Maqedonisë së Veriut. Njësiti patrollues kufitar i vuri re dhe i ndaloi në vijën kufitare Kosovë–Maqedoni e Veriut.
Të gjithë u shoqëruan në stacionin policor kufitar në Rajonin Lindje Kaçanik.
Rasti është duke u hetuar më tej nga autoritetet kompetente.


















































