Një javë me basketboll, pasion dhe profesionistë – Kampi Pressing 2025 po vjen në korrik

Nëse je i/e apasionuar pas basketbollit dhe dëshiron të kalosh një javë plot energji, lojë dhe mësim nga profesionistët më të mirë – Kampi Veror Pressing 2025 është vendi ku duhet të jesh këtë verë.
Nga 20 deri më 27 korrik, palestra Karagaqi do të shndërrohet në qendrën më të nxehtë të basketbollit për të rinjtë e moshave 7 deri në 17 vjeç.
Ky nuk është thjesht një kamp. Është një përvojë që nuk harrohet, ku talenti takohet me pasionin dhe ku lojtarët e rinj zhvillojnë jo vetëm aftësitë në fushë, por edhe miqësi për jetën.
Këtë vit, në edicionin e katërt, kampi do të udhëhiqet nga emra të njohur të basketbollit: Rudolf Jugo (i cili ishte edhe në edicionin e parë), Bujar Loci dhe Vigan Radoni.
Roli i këtyre trajnerëve do të shkojë përtej stërvitjes, ata do të jenë edhe mentorë dhe udhërrëfyes për të rinjtë./Telegrafi/






















































