LAJMI I FUNDIT:

Një “det” me libra

Një “det” me libra

Në Ulqin, nga data 25 deri më 30 korrik, do të çelet Panairi i 8-të i Librit. Në fakt, në ndonjë tjetër periudhë, edhe pse Ulqini është mishërim i romantizmit, një panair libri i atyshëm nuk do kishte ndonjë interes të madh për shkak të tkurrjes së jetës aktive, siç ndodh në stinën e plazhit.

Ndaj, organizatorët e panairit të sivjetshëm e kanë parë të udhës që të përfitojnë nga përmasat metropolitane që fiton ajo provincë e këndshme tani në verë, për të bërë të mundur "shitjen" e librit në shumë forma. Është edicioni i 8-të dhe Panairi i Ulqinit ka fituar një farë tradite jo të vogël për të gjithë hapësirën shqiptare.

Organizues të tij janë Shoqata e Botuesve dhe Bashkia e qytetit. Për nga përmasat, është bërë e mundur që ai të arrijë prestigjin e panaireve të Tiranës e Prishtinës, jo vetëm në sasi librash të prezantuar apo në numrin e lartë të pjesëmarrjes së shtëpive botuese, por dhe në prezencën e shumë personaliteteve të letrave shqipe.

Ata janë përzgjedhur për të prerë shiritin e hapjes së aktivitetit, siç ka qenë: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Fatos Kongoli, Ali Podrimja, Jevren Brkoviq, Luan Starova, Zuvdi Hoxhiq, Sreten Asanoviq, etj., ndërkohë që disa të tjerë, kanë qenë të ftuar nderi për të gjithë ditët e panairit.


Në këtë aspekt, edicionin e 8-të do ta shoqërojnë tre emra me prezencën e tyre: Rexhep Qosja, Aleksandër Stipçeviç (akademik kroat me origjinë shqiptare), si dhe Pavle Goranoviç, shkrimtar romancier, kritik e eseist nga Mali i Zi.

Shtëpitë botuese pjesëmarrëse në edicionin e 8-të të Panairit të Ulqinit do jenë rreth 60, të ardhura nga e gjithë hapësira shqiptare e rajonit tonë dhe që janë përfaqësuesit më të rëndësishëm të botimeve shqiptare në këto 15 vitet e fundit. Disa prej tyre janë: "Toena", "Ombra GVG", "Onufri", "Camaj-Pipa", "Gjergj Fishta", "Lisitan", "Labova", "Skanderbeg-Books", "Fan Noli", "Neraida", "Bota Shqiptare", "Uegen", agjencia "Dita" (Përfaqësohet edhe me botimet e EDFA, "Infobotues", "Arbëria", "Globus-R", "Agolli", "Zenit"), agjencia "Kuçuku" (përfaqësohet edhe me librat e "Dudaj"), "Asdreni" nga Prishtina (përfaqësohet edhe me librat e Faik Konicës e Dukagjinit), botimet "Max", "Argeta", "Dritan", "Elta" nga Prishtina, "Artini" po ashtu nga Prishtina, "Elta Deveja", "Alb-Books", "Iliria", Instituti Albanologjik Prishtinë, Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, ASR-Shkup, Furkan-Shkup, Nun-Tetovë, Thesari-Shkup, Vatra-Shkup, Asdreni-Shkup, Karver-Podgoricë, Almanah-Podgoricë, "Dora d‘Istria", Canu-Podgoricë, Danu-Podgoricë, Biblioteka Qendrore Popullore Podgoricë, CID, Gospa od Skrepjela-Podgoricë, Plima-Podgoricë, Shoqata Malazeze e Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj, Podgoricë.

Dhe nga e gjithë kjo masë e madhe shtëpish botuese, në Panairin e Ulqinit parashikohet të ekspozohen dhe të ofrohen për shitje mbi 6000 tituj librash, nga të cilët mbi 500 janë tituj të rinj, të cilët përmbajnë: letërsi artistike, autorë shqiptarë e të huaj, histori, botime enciklopedike, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për zanate e profesione të ndryshme, albume e katalogë gjithfarësh etj.