LAJMI I FUNDIT:

Nisi gara e filmit në Skena Up

Nisi gara e filmit në Skena Up

Akademitë dhe shkollat më të mira botërore të filmit nisën garën e filmit të premten, në ditën e dytë të programit të festivalit "Skena UP".

Prej Turqisë në Izrael dhe nga Kili në Meksiko, filmat e shfaqur paraqitnin një diversitet të gjerë temash. Shtojani kësaj edhe një “detaj” të vogël – përzierjen e të gjitha zhanreve bashkë: fiksion, dramë e animacion dhe reagimi i publikut ishte shumë pozitiv.

Arzana Kraja, selektore e programit të filmit tha se të premten janë shfaqur filma mjaft kualitativë. “Ndër ta është edhe filmi izraelit ‘Himni’, me regji të Elad Keidan, i cili ka fituar shpërblimin në kategorinë ‘Cinefondation’ të festivalit të Cannes”.
Diversiteti i temave dhe shkollave ishte arsye e fortë që i shtyu disa prej adhuruesve të filmit t’i përcjellin 14 filma të shkurtër.

“Është interesant kur sheh gërshetimin e të gjitha këtyre shkollave në një vend. Edhe programi është shumë kualitativ”, tha Safet Murati, student i dramaturgjisë.


Filmat më të duartrokitur nga publiku ishin ai izraelit “Himni”, pastaj filmi norvegjez “The Bird” me regji të Torfinn Iversen dhe ai portugez “Tchaikovsky’s Death” me regji të Nuno Felix.

Me filmin “Himni” (“Anthem”) është prezantuar shkolla e filmit “The Sam Spiegel Film and TV School”. Filmi është një rrëfim minimalist për përditshmërinë e Amonit, i cili shkon të blejë qumësht në shitoren e lagjes. Duke takuar karaktere të ndryshme të atij vendi, ai zbulon para publikut një botë interesante. /skenaup/