LAJMI I FUNDIT:

Protesta e simpatizantëve të PD-së – bllokohen gjashtë akse rrugore nga Veriu në Jug të Tiranës

Protesta e simpatizantëve të PD-së – bllokohen gjashtë akse rrugore nga Veriu në Jug të Tiranës

18:43 – “Do ia bëjmë stërr Ramës”, Ndoka e pranon nga Kthesa e Kamzës: Qeveria nuk bie me 1, 2 apo 3 protesta

Nard Ndoka nga Kthesa e Kamzës teksa foli për “Ditari” nga Bruna Çifligu në A2 CNN tha se protesta e sotme, e cila konsistoi në bllokimin e 6 akseve rrugore nga veriu në jug të vendit, është sensibilizuese, “për të treguar se në Shqipëri ka një problem, për faktin se kryeministri ka bllokuar sistemin, ka kapur drejtësinë dhe ka bllokuar rotacionin”.

“Protesta ishte sensibilizimi në tërësi. Ishte një plan i mire koordinuar me të gjithë aktorët politikë, duke vendosur edhe një lloj standardi për ne pasi mosbindja civile ka forma dhe mënyra nga më të ndryshmet, nuk është vetëm përplasje, ballafaqime, dhunë. Nuk është ky qëllimi ynë. Por nëse ne kemi një kryeministër përballë që nuk reagon nga këto protesta. Nëse ai nuk e kupton me prova dhe fakte që në Durrës ka tre deputetë që kanë dalë me vota të grupeve kriminale. Një kryeministër i kapur në përmasa të tilla kriminale, që është diktuar nga grupet kriminale për të futur një kandidat në listë, ai duhej të largohej menjëherë”, deklaroi Ndoka.


I pyetur nëse me këtë formë proteste do të ndryshojë qasja e kryeministrit Edi Rama ndaj opozitës, Ndoka tha se shefi i qeverisë është i papërgjegjshëm. Kreu i Demokristjanëve tha se ai nuk hyn në kategorinëq e politikanëve që beson se Rama rrëzohet me 1 apo 2 protesta.

“Ne kemi përballë një kryeministër të papërgjegjshëm. Unë nuk besoj asnjëherë që ia ndjen kryeministrit por kjo është më tepër për sensibilizimin e qytetarëve, të ndërkombëtarëve për t’i treguar se në Shqipëri ka një problem të thellë në jetën politike. Ka një shqetësim nga opozita por edhe nga qytetarët. Kjo është ajo që pritet nga protesta. Nuk hyj te ata politikanë që mendojnë se me 1, 2, 3 protesta do ta rrëzojmë qeverinë, por pa diskutim që duhet këmbëngulje dhe përballje e vazhdueshme”, u shpreh Ndoka për mikrofonin e A2 CNN.

Ai më tej shtoi se hapat që do të ndiqen në vijim nga opozita do të shkojnë deri në “ballafaqim në Parlament dhëmbë për dhëmbë e ballazi me Edi Ramën duke ia bërë atij stërr”. Kjo pasi sipas Ndokës, kryeministri nuk e njeh Parlamentin, nuk e njeh drejtësinë, as sistemin gjyqësor.

Ndoka nuk kurseu as batutat duke thënë se ambulanca e tretë, së cilës protestuesit i hapën rrugën te Kthesa e Kamzës ka kryeministrin brenda.

“Kjo është me Edi Ramën, se Edi Rama është me apandesit, e kapi”, tha Ndoka me ironi.

Duke nisur nga ora 17:00 e pasdites deri në 20:00 të mbrëmjes, Partia Demokratike dhe mbështetësit e saj do të bllokojnë akset rrugore në gjashtë pika të rëndësishme të vendit si Kthesa e Kamzës, rreth rrotullimet e Shkozetit, Bradasheshit, Levanit dhe Rrogozhinës, si dhe kryqëzimi i Milotit.

Protesta e kësaj të hëne është në vazhdën e tubimeve që Partia Demokratike ka zhvilluar prej burgosjes së deputetit Ervin Salianji dhe gjatë së cilave është bërë thirrje për qeveri teknike.

17:21 – Aksi rrugor në Levan totalisht i paralizuar, Tritan Shehu: Qytetarët po protestojnë me dinjitet

Protestuesit janë grumbulluar në rreth rrotullimin e Levanit duke bllokuar qarkullimin e automjeteve. Gazetari i A2 CNN Rigels Malile raporton se ky aks është totalisht i paralizuar, ndërsa ka prani të shtuar të forcave të Policisë.

Në një lidhje me Ditarin e Bruna Çifligun, deputeti Tritan Shehu tha se qytetarët janë të qetë, por të vendosur për të protestuar.

“Qindra qytetarë të revoltuar kanë dalë në mënyrë të vullnetshme për të protestuar për gjendjen e rëndë që po kalon vendi, ekonominë e shkatërruar, varfërinë, shkeljen e lirisë, detyrimin për të braktisur Shqipërinë, duke mbajtur të burgosur politik Sali Berishën duke shkelur çdo parim europian. Qytetarët janë të qetë, por të vendosur për të protestuar. Qytetarët po protestojnë me dinjitet. Skenari është programuar nga PD për këtë protestë, duke shprehur atë që qytetarët ndjejnë për këtë regjim”.

17:13 – Qytetarët ulen këmbëkryq te kryqëzimi i Milotit: Ja paguaj çdo gjë shtetit, s’marr asgjë mbrapsht.

Në kryqëzimin e Milotit, Senad Nikshiqi raporton se disa qytetarë janë ulur ndenjur në mes të autostradës, duke bllokuar lëvizjen në krahun nga Lezha në drejtim të Tiranës.

Ka një numër më të madh protestuesish në këtë pikë që janë bashkuar nga qarku Shkodër, Lezhë dhe Kukës, ndërkohë që qytetarët nga Kurbini dhe Tropoja pritet që të bllokojnë anën tjetër të rrugës nga Tirana drejt Shkodrës dhe Lezhës.

Një qytetar nga zona e Tales në Lezhë tha për mikrofonin e A2 CNN se po proteston për shumë padrejtësi që bëhen në Shqipëri, duke shprehur vendosmërinë për të mos lëvizur nga rruga.

“Jam ul me protestue për të drejtat tona. Për dritat për ujë, për rrugë, për çdo gjë. Çdo gjë ja paguaj shtetit, asnjë gjë nuk ma garanton”, tha protestuesi për A2 CNN.

Deputetja e qarkut Shkodër Greta Bardeli, e pyetur nga gazetari i A2 CNN se përse kanë dalë në protestë, kërkoi që kjo pyetje t’i bëhet qytetarëve, sipas saj të shumtë që kanë dalë kundër qeverisë Rama.

“Është një protestë kundër çdo padrejtësie që po i bëhet jo vetëm zonës së Veriut por gjithë Shqipërisë. Shikoni numrin e lartë të emigracionit, mbylljen e shkollave dhe të shumë bizneseve në qarkun e Shkodrës”, tha Bardeli.

Ora 17:00 – Mosbindja civile, nis bllokimi i rrugëve nga protesuesit

Ashtu sikurse ishte parashikuar ka nisur në orën 17:00 bllokimi i akseve kryesore të vendit nga Veriu në Jug. Gazetarët e A2 CNN raportojnë se ka protestuesit kanë bllokuar rrugën te mbikalimi i Shkozetit në autostradën Tiranë- Durrës në të dy krahët e saj.

Gazetarja e A2 CNN Elitjona Doko raporton se Edi Paloka dhe deputetët të tjerë të PD-së janë shfaqur që në minutat e para të protestës. Ata kanë deklaruar se kjo është pjesë e mosbindjes civile.

Protestuesit brohorasin nën sloganin “Rama ik!”, ndërsa policia po mbikëqyr mbarëvajtjen e protestës.

Bllokim i qarkullimit raportohet edhe te Kthesa e Kamzës në kryeqytet. Të bllokuar janë edhe rrethrrotullimi në Levan dhe në Elbasan.

Në Milot protestuesit janë ulur në formë proteste në rrethrrotullim për të bllokuar qarkullimin e automjeteve. Protestuesit janë bashkuar nga Shkodra, Lezha e Kukësi, ndërsa Tropoja e Kurbini do të bllokojnë aksin tjetër të rrugës.