Perandoria Asiriane e ka origjinën në rrjedhën e sipërme të lumit Tigër, midis qyteteve Nimrud, Nineve dhe Ashur, në atë që njihet sot Iraku veriperëndimor. Pozita gjeostrategjike e saj ishte disi e pasigurt, pasi i mungonin drurët dhe gurët e përdorshëm për ndërtim, por edhe minerali i hekurit për prodhimin e armëve, si dhe stepat për mbarështimin e kuajve …
As topografia nuk ofronte pengesa natyrore për pushtuesit. Kjo nënkuptonte se nëse Asiria donte të mbijetonte për një kohë të gjatë, duhej të pushtonte fqinjët e saj. Në shekullin IX p.e.s. e zgjeroi shumë territorin e saj dhe u shfaq si fuqia dominuese e Lindjes së Mesme.
Njëqind vjet më vonë, në fron u ngjit Tiglat-Pilezeri III. Ai ishte jo vetëm një reformator i shkëlqyer administrativ dhe ushtarak, por edhe një gjeneral i talentuar që e pushtoi pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme. Ushtria asiriane ishte instrumenti kryesor që e lehtësoi atë zgjerim.
Tiglat-Pilezeri e reformoi ushtrinë, duke i siguruar asaj një bazë të fortë ushtarësh profesionistë me kohë të plotë, të mbështetur nga kontingjente rekrutësh nga zonat e pushtuara. Duke komanduar një ushtri të përhershme, asirianët ishin në gjendje të zhvillonin luftëra gjatë gjithë vitit dhe të kishin në total në ushtri prej 150-200 mijë burrash.
Ajo ushtri ishte e para që u pajis me armë dhe parzmore hekuri. Metalurgjia e hekurit u shpik ndoshta nga hititët rreth vitit 1300 p.e.s., duke u bërë shumë e përhapur në shekujt që pasuan. Krahasuar me bronzin, hekuri ishte një material më superior, pasi farkëtimi në të ftohtë krijonte armë më të forta dhe më të besueshme.
Disa shekuj më vonë, zbulimi i procesit të kalitjes e bëri hekurin materialin më të mirë për prodhimin e armëve. Disponueshmëria e madhe e mineralit të hekurit uli kostot e prodhimit, duke e bërë atë edhe më tërheqës. Edhe fuqitë e vogla ushtarake ishin në gjendje të pajisnin trupat e tyre me armë me kosto të përballueshme.
Prandaj, nuk është e habitshme pse luftërat u bënë më pas shumë më të shpeshta dhe asirianët shfrytëzuan plotësisht mundësitë që solli epoka e re e hekurit. Asirianët e lashtë ndërtuan një forcë ushtarake komplekse, me armët e rënda që kombinoheshin nga këmbësoria, karrocat, kalorësia, xhenierët dhe trupat ndihmëse.
Mbreti vepronte si komandanti suprem dhe zakonisht i drejtonte vetë fushatat ushtarake. Këmbësoria e armatosur rëndë përbënte pjesën më të madhe të ushtrisë, e mbështetur nga harkëtarë, hedhësit e hobeve dhe mbajtësit e mburojave. Harkëtarët cilësoheshin veçanërisht të rrezikshëm, pasi majat e shigjetave të tyre prej hekuri, depërtonin me lehtësi në armaturën e armikut.
Kalorësia dhe karrocat e luftës formonin forcën elitare të kalorësisë. Karrocat drejtoheshin nga një person, dhe bashke me të ishte një harkëtar dhe një mburojë-mbajtës, që shërbenin si një artileri e lëvizshme dhe nëse terreni ishte i përshtatshëm, përdoreshin si trupa kundër këmbësorisë së ushtrisë armike.
Kur harkëtarët nisën të luftojnë mbi kuajt në shekullin IX p.e.s., kalorësia u bë gjithnjë e më e rëndësishme. Terreni i vështirë i Levantit, e dobësoi efikasitetin e karrocave, duke i hapur rrugën kalorësisë si elementi i ri qendror i ofensivës asiriane.
Në shekullin VII, kalorësia ishte zhvilluar në një trupë luftarake të armatosur rëndë dhe të mbrojtur mirë. Kuajt kishin një vlerë strategjike të madhe, prandaj asirianët investuan shumë përpjekje dhe burime në mbarështim, ushqim dhe stërvitjen e tyre.
Në beteja të hapura, këmbësoria e armatosur rëndë – e përforcuar nga harkëtarët, hedhësit e hobeve dhe mbajtësit e mburojave – vendoseshin në qendër të sulmit, ndërsa forcat e kalorësisë dhe karrocave në krahë. Formacioni i betejës ishte më shumë se 2000 metra i gjatë dhe pothuajse 100 metra i gjerë. Zakonisht, ishin harkëtarët dhe hobetarët, ata që e fillonin betejën me gjuajtjet nga distanca. Më pas hidheshin në sulm karrocat dhe kalorësia. Karrocat shtypnin rreshtimin e ushtrisë armike, ndërsa kalorësia duhej të shfrytëzonte të çarat dhe të përmbyste planet e armikut. Më tej këmbësoria do t’i jepte goditjen përfundimtare. Këto ushtri shquheshin edhe në artin e luftës rrethuese.
Një rrethim tipik niste me një rrethim të plotë të qytetit të synuar. Më pas gjeneralët analizonin sistemet e mbrojtjes dhe gjenin pikat e dobëta, që ishin zakonisht portat e qytetit. Në fillim, rrethuesi përgatiste hendeqe të mëdha në pikat e identifikuara. Më pas përdoreshin katapultat për të çarë rrethimin.
Një rol luante edhe lufta psikologjike: sirianët ishin të famshëm për brutalitetin e tyre, pasi e pushtonin një qytet rebel. Kjo do të thoshte që edhe vetëm pamja e ushtrisë asiriane teksa pozicionohej përballë një qyteti, mjaftonte që banorët e tij të dorëzoheshin.
Për të kontrolluar territoret që pushtoi, Tiglat-Pilezeri III përdori dëbimin masiv si një politikë të zakonshme, duke e privuar armikun nga elita, e cila kishte më shumë gjasa të nxiste rebelimin. Zonat pa udhëheqës politikë, ishin më të lehta për t’u sunduar.
Në shekullin IX p.e.s., Perandoria Asiriane u bë fuqi e madhe rajonale e Lindjes së Mesme, duke u zgjeruar drejt Levantit. Mbreti Shalmanezer III kreu 21 fushata ushtarake gjatë mbretërimit të tij 35-vjeçar, duke vendosur dominimin asirian nga Babilonia deri në brigjet e Mesdheut.
Në atë kohë, qytetet e vogla shtetet dhe mbretëritë e Levantit përjetuan periudhë të fuqisë politike dhe pasurisë ekonomike. Midis atyre mbretërive ishin mbretëritë hebraike të Izraelit dhe Judesë në territorin që përbën shtetit të sotëm të Izraelit. Nën sundimin legjendar të monarkëve David dhe Solomon, në shekullin X p.e.s. ishte formuar një mbretëri e bashkuar. Por, në fund të atij shekulli ata u ndanë: Izraeli në veri me kryeqytetin e tij Samaria (Sebastia e sotme në Bregun Perëndimor) sundohej me një ndryshim të dinastive, ndërsa Judea në jug kontrollohej nga Jerusalemi nga pasardhësit e Davidit. Shumicën e kohës, të dyja mbretëritë luftonin ndaj njëra-tjetrës – me Izraelin që zakonisht dominonte për shkak të një popullsie më të madhe dhe kushteve më të mira bujqësore.
Por, të dyja lulëzuan në shekullin IX p.e.s. dhe zgjerimi territorial i asirianëve ishte një kërcënim ekzistencial që kërcënonte Levantin. Lufta ishte vetëm çështje kohe. Izraeli dhe Judea komandonin ndoshta ushtri të vogla, por metodat e tyre të rekrutimit dhe organizimit ishin të paqarta. Me shumë gjasa ushtritë e tyre përbëheshin kryesisht nga këmbësoria, e mbështetur nga një numër i kufizuar karrocash dhe njësi të kalorësisë.
Këmbësorët ishin të armatosur me shtiza, shpata dhe mburoja, të shoqëruar nga harkëtarë dhe hobe-hedhës. Për mbretëritë e vogla si Izraeli dhe Judea, formimi i aleancave ushtarake kundër fuqive të mëdha ishte jetike. Ato kryenin rrallë vetëm fushata të mëdha sulmuese. Shumica e aktiviteteve ushtarake fokusoheshin në përgatitjen për rrethimet dhe ndërtimin e fortifikimeve. Sigurimi i furnizimit me ujë, ishte thelbësor për mbijetesën. Burimet e ujit ishin shpesh jashtë mureve të qytetit, gjë që e bënte të domosdoshme ndërtimin e sistemeve të përpunuara.
Izraelitët dhe judeasit ndërtuan sisteme të mëdha tunelesh për të siguruar qasjen në këto burime. Vizitorët e Megidos, Hazorit dhe Jerusalemit mrekullohen edhe sot me aftësitë e avancuara inxhinierike që janë përdorur në ato projekte infrastrukturore.
Një faktor i rëndësishëm ishin muret e qytetit, të ndërtuara me blloqe të përpunuara ashlari (ose tulla balte që datojnë në epokën e bronzit) në një tumë artificiale të pjerrët (glacis). Në fillim të epokës së hekurit, ato nuk përbëheshin nga asgjë më shumë se sa muret e jashtme të banesave private.
Por, në shekullin X p.e.s. dominonin muret kazamate – një lloj muraleje me dy mure paralele me kryqëzime midis tyre. Në hapësirën midis mureve të jashtme dhe të brendshme qëndronin ushtarë, ndërsa në kohë paqeje furnizime ushqimore. Gjatë një rrethimi, mbrojtësit e mbushnin me dhe për të forcuar muret.
Që nga shekulli IX p.e.s., muret e mëdha me kulla ishin bërë më se të zakonshme. Kjo mbrojtje novatore lindi ndoshta nga teknika e rrethimit. Përpara asirianëve, sulmuesit kishin pushtuar qytete ose bastione në Levant përmes sulmeve me shkallë. Në atë rast mbrojtësit në muret e tyre kishin një avantazh taktik.
Për sa kohë që një qytet ose një kështjellë kishte rezerva të mjaftueshme, mbrojtësit thjesht mund të prisnin derisa sulmuesve t’u sosnin paratë ose durimi. Gjithsesi, asirianët e ndryshuan rrënjësisht luftën e rrethimit përmes futjes së sistemeve dhe armëve me taktika të reja. Muret e drejta, siguruan objektivin ideal për taktikat asiriane, ndërsa muret me kulla e bënin më cenueshëm sulmuesin, dhe u jepnin mbrojtësve mundësinë të godisnin më me forcë.
Përballë kërcënimit asirian, 11 mbretëritë levantine formuan aleancë mbrojtëse. Në vitin 853 p.e.s., sundimtari asirian Shalmaneser III u përball me koalicionin në betejën e famshme të Qarqarit në bregun e lumit Orontes në Sirinë e sotme veriperëndimore, një nga betejat më të mëdha të zhvilluara ndonjëherë deri atëherë. Ai udhëhoqi një ushtri prej mbi 70 mijë burrash në fushën e betejës, përfshirë 1200 kalorës dhe 4000 karroca. Edhe aleanca anti-asiriane kishte mbledhur një forcë të madhe. Burimet e kohës rrëfejnë historinë e një lufte të përgjakshme me mijëra ushtarë të vdekur.
Rrëfimet e kronikanëve asirianë e paraqesin si fitimtar Shalmaneserin. Por, kjo është e dyshimtë, dhe ka të ngjarë të jetë produkt i propagandës asiriane. Pasi Shalmaneseri hezitonte për vite me radhë që të lëvizte më në jug. Atij iu deshën tri beteja të tjera për të thyer aleancën anti-asiriane, dhe për të pushtuar Levantin jugor në vitet 840 p.e.s.
Në fund, grindjet e brendshme midis aleatëve levantinë e prishën koalicionin duke u dhënë asirianëve shansin të luftonin një e nga një kundër këtyre mbretërive. 150 vitet në vijim sollën konflikte midis mbretërive të Levantit dhe rebelime kundër asirianëve.
Izraeli dhe Judea, mbijetuan për një farë kohe si vasale të asirianëve. Por, Izraeli guxoi shumë kur u përpoq ta vinte Asirinë dhe Egjiptin kundër njëri-tjetrit. Ndaj Asiria nuk ngurroi ta mposhte Izraelin në vitin 722 p.e.s. Për të neutralizuar një kërcënim të bezdisshëm në një zonë tampon e të rëndësishëm nga pikëpamja strategjike midis Mesopotamisë dhe Egjiptit, asirianët dëbuan dhjetëra mijëra banorë, dhe vendosën atje njerëz nga pjesë të tjera të perandorisë.
Ai moment shënoi fundin e mbretërisë së Izraelit. Ndërkohë, mbretëria hebraike jugore, Judea, e sunduar nga mbreti Hezekia gjatë viteve 725-698 p.e.s., nuk ndoqi shembullin e Izraelit, ndaj u shpërblye me vite të gjata stabiliteti politik, zhvillimi dhe madje edhe zgjerimi territorial. Por, kur vdiq mbreti asirian Sargon II në vitin 705, Hezekia bëri gabimin fatal duke iu bashkuar serisë së rebelimeve që shpërthyen në çdo cep të Perandorisë Asiriane. Sapo mbreti i ri asirian, Senakeribi, e konsolidoi pozicionin e tij brenda mbretërisë, u nis sërish drejt Levantit.
Fushata e Senakeribit kundër Levantit Jugor në vitin 701 p.e.s. është një nga betejat më të dokumentuara të epokës së hekurit. Historianët mund të mbështeten jo vetëm tek kronikanët e mbretit asirian dhe në rrëfimin biblik, por për të ka edhe mbetje arkeologjike.
Hezekia u përgatit për pasojat e vendimeve të tij. Ai e dinte se Senakeribi do të vinte për ta kapur dhe forcat e tij nuk kishin asnjë shans në një betejë në fushë të hapur. Prandaj, i përgatiti qytetet dhe fortesat e tij për rrethime të gjata dhe mbi gjitha kryeqytetin, Jerusalem. E zgjeroi murin rrethues të qytetit, duke përfshirë në të edhe lagjet e reja të Jerusalemit në malin e sotëm të Sionit. Përveç kësaj, siguroi furnizimin me ujë të qytetit përmes ndërtimit të një tuneli 550 metra të gjatë, që e devijoi ujin nga burimi i vetëm i Jerusalemit, Gihon, në një pishinë të madhe brenda mureve të qytetit.
Senakeribi pushtoi gjithë bregun e Mesdheut duke dërrmuar çdo përpjekje për rezistencë. Shumë qytete u dorëzuan pa luftë. Në fund, Senakeribi u nis drejt Judesë dhe rrethoi qytetin e fortifikuar të Lakishit. Zbulimi i varreve masive, qindra maja shigjetash dhe gjurmët e një zjarri të tmerrshëm në qytet, dëshmojnë mbi betejën e përgjakshme dhe shkatërrimin që ndodhi.
Pavarësisht nga përgatitjet e mëdha, Lakishi dhe 45 bastione të tjera të Judesë u shkatërruan. Më në fund, Senakeribi u nis drejt Jerusalemit ku e rrethoi qytetin sipas praktikës standarde asiriane të rrethimit. Me sa duket ishte vetëm çështje kohe para se sundimtari asirian të arrinte një fitore tjetër.
Kronikanët e Senakeribit shkruajnë: “E mbylla atë (Hezekian) brenda Jerusalemit, qytetit të tij mbretëror, si një zog në kafaz”. Papritur, asirianët u larguan. Hezekia qëndroi në fronin e tij. Sipas Biblës, Zoti dërgoi një engjëll në kampin e asirianëve që vrau shumicën e ushtrisë së tyre brenda një nate, tregues i një murtaje vdekjeprurëse në kamp. Por, burimet asiriane tregojnë një histori tjetër: Ezekia pagoi një haraç të madh për të shpëtuar qytetin e tij. Përveç arit, argjendit dhe një numër trupash të elitës luftarake të Judesë, Senakeribi pretendoi se ai “mijëra njerëz … kuaj, mushka, gomarë dhe deve, bagëti dhe dele etj.”. Një teori tjetër sugjeron se Senakeribi u detyrua të largohej menjëherë sepse në Babiloni kishte shpërthyer një rebelim. Tërheqja e tij e shpëtoi Jerusalemin, të paktën për momentin. Megjithatë, Judea kishte vuajtur shumë nga sundimi i Hezekias: dëbimi i një pjese të konsiderueshme të popullsisë e preku ekonominë dhe u deshën vite që ajo të rimëkëmbej.
Perandoria Asiriane arriti kulmin e saj në dekadat në vijim me pushtimin e Tebës, kryeqytetit të Egjiptit. Megjithatë, luftërat e brendshme për pushtet çuan në shembje. Në fundin e shekullit VII, p.e.s., Asiria ra për shkak të fuqisë në rritje të Babilonisë. E dëshpëruar, ajo formoi një aleancë me rivalin e saj afatgjatë: Egjiptin.
Gjatë betejës së Karkemishit (në Sirinë e sotme) në vitin 605, princi i kurorës babilonase Nabukodonosor i dha goditjen përfundimtare Perandorisë Asiriane. Në vitet në vijim, sundimtari babilonas pushtoi të gjithë Levantin dhe e bëri Babiloninë superfuqinë e re në Lindjen e Mesme. /Burimi: History Revealed/Në shqip nga: Bota.al/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëGladiatorët ishin influencuesit e Romës së lashtë
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
GJUHA SHQYPE
Pse Shmidt e hedh poshtë historiografinë shqiptare?!
GRUAJA E ÇMENDUR …
A duhet të shqetësohemi për ndjenjat e inteligjencës artificiale?
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Gjermania dhe Finlanda në alarm pasi një kabllo nënujore që lidhte dy vendet ka pasur “një ndërprerje”
Pesë fjalët e Zelenskyt për t'i shkaktuar frikë Putinit - përpara sulmeve me raketa amerikane thellë në Rusi
Arratisje spektakolare e policit në Gjirokastër, kur mori vesh se do të arrestohej
"Jemi të lumtur dhe tani presim kundërshtarin e play-offit" - Muriqi flet pas fitores
Rohde: Gjermania kufizon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj
Kammer: Me këtë rritje Kosovës i duhen 20 vjet për të arritur te gjysma e standardit evropian