Ish-inxhinieri i NASA-s dhe YouTuberi i njohur Mark Rober, ka publikuar një video që tregon qartë dhe thjesht problemin kryesor, me mbështetjen e Teslës vetëm tek kamerat për drejtimin autonom.
Ndryshe nga konkurrenca që përdor sensorë LIDAR dhe radar për të zbuluar objektet, Tesla i hodhi poshtë plotësisht këto teknologji, duke u mbështetur vetëm në të dhënat vizuale nga kamerat.
Elon Musk më parë e quajti LIDAR-in “dreq memec, të shtrenjtë dhe të panevojshëm”, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, Rober vërtetoi në videon e tij se sa problematike është kjo qasje. Eksperimenti i tij tregoi se Autopiloti i Teslës nuk arrin të njohë pengesat në kushtet e mjegullës së dendur, shiut të dendur apo edhe iluzioneve – të tilla si një mur i lyer që të duket si një vazhdim i rrugës.
Në një nga testet, Rober vendosi bedelin e një fëmije në rrugë dhe krahasoi reagimin e një automjeti Tesla me atë të një SUV Lexus të pajisur me sensorë LIDAR nga Luminar.
Tesla e regjistroi fëmijën në softuer, por sistemi i frenimit automatik nuk reagoi në kohë, duke bërë që Rober të godiste kukullën.
Kur skena u mbulua me mjegull artificiale, Tesla nuk arriti ta zbulonte në kohë pengesën. E njëjta gjë ndodhi gjatë shiut të simuluar të dendur.
Testi në të cilin Tesla u mashtrua nga një mur i lyer si vazhdim i rrugës tërhoqi vëmendjen më të madhe – makina goditi murin pa hezitim, ndërsa Lexus i Luminar e njohu mashtrimin dhe ndaloi i sigurt.
“Për herë të parë në historinë e botës, mund të them patjetër se sistemi i kamerës optike të Tesla-s do të kalonte përmes një muri të rremë pa asnjë hezitim, pa prekur as frenat”, tha Rober.
Videoja e Rober vjen në një kohë kritike, pasi Tesla planifikon të lançojë një version “të pambikëqyrur” të sistemit të tij të vetëdrejtimit të plotë më vonë këtë vit.
Kritikët paralajmërojnë se kjo mund të rrisë më tej ndjenjën e rreme të sigurisë së shoferëve.
Musk gjithashtu planifikon të nisë një shërbim robotaxi që do të mbështetet në të njëjtin softuer, i cili mund të përkeqësojë më tej shqetësimet e sigurisë.
Rregullatorët amerikanë kanë lidhur tashmë sistemet e drejtimit të asistuar të Teslës me dhjetëra vdekje dhe qindra lëndime, dhe testi i Rober konfirmon më tej se hardueri aktual në automjetet Tesla nuk është gati për drejtimin plotësisht autonom.
Pyetja është nëse Tesla do të rishikojë qasjen e saj në të ardhmen, dhe do të kthehet në përdorimin e radarëve dhe sensorëve LIDAR apo do të vazhdojë me strategjinë e rrezikshme të perceptimit thjesht vizual. /Telegrafi/