Kosova do të ketë më shumë gjasa për medalje jo vetëm pasi që niveli i sportit në vend pritet të rritet në pesë vjetët e ardhshëm, por pse një sport që vlerësohet me nivel në Kosovë pritet të shtohet në programin olimpik. Sporti luftarak i karatesë është njëri prej pesë sporteve të propozuara të hënën nga "Tokio 2020" për t'u përfshirë në programin olimpik për këtë ngjarje.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar në gusht të vitit tjetër pritet të vendosë për rekomandimet që i janë bërë nga Komiteti Organizativ i "Tokio 2020", shkruan sot Koha Ditore. Karateja që ka lindur pikërisht në Japoni dhe është vlerë e këtij vendi, vlerësohet ndër sportet favorite për t'u përfshirë në program olimpik për "Tokio 2020".


Kosova vlerësohet ndër vendet që do të mund të përfitonin në aspektin sportiv nëse karateja bëhet pjesë e programit olimpik. Në të vërtetë karateja ka kohë të gjatë që punon për përfshirje në programin olimpik, deri më tani pa sukses.

Zhvillimi i sportit në shumë federata të ndryshme, në stile të ndryshme, vlerësohet ndër arsyet kryesore që karateja nuk është pjesë e Lojërave Olimpike, shkruan kohaditore.

Një hap drejt përfshirjes në programin olimpik vlerësohet se është bërë me prezantimin e karatesë në Lojërat Evropiane "Baku 2015". Në Baku garoi edhe karateisti kosovar Alvin Karaqi. 22-vjeçari ishte pranë medaljes në kategorinë deri 84 kilogramë. Arriti tri fitore impresionuese, por më pas humbi në gjysmëfinale dhe në luftë për medalje të bronztë.

Karateisti prishtinas pret që pas një viti karateja të konfirmohet si sport olimpik dhe ai personalisht të rrisë punën për të fituar normën olimpike për Tokio dhe më pas të ndjekë ëndrrën për medalje olimpike.

"Gjasat janë të mira që karateja të bëhet sport olimpik", ka thënë Karaqi të hënën për gazetën Koha Ditore.

Ai në vitin 2020 do të jetë 27-vjeçar që vlerësohet moshë ideale për karate
 

telegrafi sport app