Nga ndeshja me Qipron, te portieri, mesfusha dhe rëndësia e Vedat Muriqit te Kosova – përzgjedhësi Foda flet për të gjitha

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka shfaqur optimizëm para ndeshjes me Qipron. Foda u shpreh i kënaqur me paraqitjen që ekipi tregoi në ndeshjen e kaluar kundër Lituanisë, ku Kosova dominoi lojën por nuk arriti të konkretizojë të gjitha rastet që krijoi. “Në ndeshjen e kaluar kemi treguar mjaft cilësi. Jemi përpjekur që ta vëmë kundërshtarin nën presion sa më herët, kemi bërë agresivitet në lojë, e kemi qarkulluar mirë topin. Një mangësi e jona ka qenë që nuk kemi arritur të shënojmë më shumë gola”. “Nesër do të mundohemi të luajmë pak më ndryshe se sa në ndeshjen e fundit. E dimë që Qipro e ka ndërruar trajnerin, por ne duhet të luajmë sikur në Lituani, me energji dhe me mendësi të njëjtë. Qipro luan lojë mjaft dinamike, por ne jemi të përgatitur dhe presim të fitojmë”, deklaroi Foda.

“Edhe në bisedat që kam me lojtarët iu them se më e rëndësishmja është të luajmë së bashku”, shtoi ai. Ai tutje ka folur edhe për atë nëse Arijanet Muriç do të vendoset në portë. “Aro Muriç është dashur të zëvendësohet pasi ka qenë i lënduar. Aro dje ka stërvitur dhe do të shohim nëse do të jetë plotësisht i gatshëm. Ndërkohë, kemi mungesën e Elvis Rexhbeçajt për shkak të pezullimit me kartonë, derisa edhe Valon Berisha është në dyshim për shkak të lëndimit dhe do të shohim nëse do të jetë i gatshëm deri nesër”, nënvizoi Foda.





















































