Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka ndarë në rrjete sociale një artikull nga revista amerikane Jacobin, e njohur për pikëpamjet e saj anti-izraelite.

Edhe pse me sa duket Netanyahu e ndau artikullin për të tërhequr vëmendjen ndaj lidhjeve të dyshuara midis pedofilit Jeffrey Epstein dhe rivalit të tij politik Ehud Barak, ky veprim shkaktoi polemika sepse i njëjti artikull sugjeroi që Epstein punonte për inteligjencën izraelite dhe e përshkroi sundimin e Netanyahut në vitin 2019 si ekstrem dhe të zhytur në korrupsion, raporton The Times of Israel .


Netanyahu e ndau artikullin pa asnjë koment, duke u përqendruar në pjesën që merret me mesazhet e zbuluara së fundmi nga Epstein.

Në to, abuzuesi seksual i ndjerë pretendonte se kishte këshilluar ish-kryeministrin izraelit Ehud Barak gjatë zgjedhjeve të vitit 2019.

Artikulli thoshte se emailet konfirmojnë një sërë zbulimesh në vitet e fundit që tregojnë se të dy burrat ishin shumë më afër nga sa ka pranuar publikisht Barak.



Bëhet e ditur se Barak dhe Netanyahu janë armiq politikë prej kohësh, dhe Barak është bërë një nga kritikët më të zëshëm të kryeministrit aktual, duke e akuzuar atë se përbën një kërcënim për demokracinë izraelite.

Megjithatë, artikulli i Jacobin trajton gjithashtu lidhjet e dyshuara të Epstein me inteligjencën izraelite, duke theksuar thashethemet se pedofili ishte një bashkëpunëtor ose punonte për inteligjencën izraelite.

Akuzat për lidhjet e Epstein me Mossad kanë qarkulluar për vite me radhë bazuar në trashëgiminë e tij hebraike, vizitat në Izrael dhe miqësinë me Barakun, i cili ishte vetëm një nga shumë figura të shquara me të cilët Epstein kishte lidhje.

Mbetet e paqartë pse Netanyahu vendosi të promovonte pretendime të tilla, ose nëse ai ishte në dijeni të përmbajtjes së plotë të artikullit që ndau.

Ky veprim u dënua nga ish-kryeministri Naftali Bennett, i cili shihet si kundërshtari më i mundshëm i Netanyahut në zgjedhjet e ardhshme.

Bennett akuzoi kryeministrin se i ka dhënë legjitimitet një reviste "antisemite dhe anti-Izrael".

"Ky artikull i shërben politikisht Netanyahut sepse sulmon dikë që ai e urren", tha Bennett.

"Por kur kreu i qeverisë izraelite ndan përmbajtje nga atje, kjo i jep një shtysë dhe legjitimitet të madh një reviste plot me akuza kundër Izraelit për gjenocid, aparteid dhe krime lufte."

“Armiqtë e Izraelit, përfshirë vetë revistën, tashmë po e festojnë këtë si provë të së vërtetës së komploteve të rreme kundër Izraelit”, shtoi ai.

Ndryshe, pretendimet për bashkëpunimin e Epstein me Mossad nuk janë të reja.

Më herët këtë vit, ish-prezantuesi i Fox News, Tucker Carlson, tha se Epstein punoi për Mossad dhe se ai nuk kishte takuar kurrë askënd që nuk mendonte kështu.

Lëvizja e Netanyahut tërhoqi vëmendjen edhe të komentuesve amerikanë.

Komentuesja konservatore Megyn Kelly ndau postimin e tij me komentin: "Pra, mendoj se nuk është antisemite të pyesësh nëse Epstein ishte një operativ i inteligjencës izraelite dhe nëse nuk duhet t'i besojmë vetëm fjalës së Ehud Barakut se ai nuk ishte? E kuptoj." /Telegrafi/