Të enjten, më 3 korrik, në Hotel Swiss Diamond në Prishtinë, do të mbahet konferenca “Media Talk Day”, një ngjarje e rëndësishme që synon të avancojë edukimin medial, të rrisë standardet profesionale të gazetarisë dhe të adresojë çështjen e dezinformimit gjinor në Kosovë.

Konferenca organizohet nga Instituti D4D dhe mbështetet nga Dukati i Madh i Luksemburgut në kuadër të projektit “Mbështetje për Shoqërinë Civile në Kosovë”. Pjesëmarrës do të jenë përfaqësues të mediave, institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile. Gjatë konferencës do të prezantohen tri iniciativa kryesore: Lansimi zyrtar i platformës Verifiko.info,  prezantimi i analizës së boshllëqeve në media dhe do të bëhet publikimi i raportit mbi dezinformimin gjinor, me fokus të veçantë në mënyrën se si mediat online trajtojnë gratë në politikë, përfshirë gjuhën mizogjine dhe efektet që kjo ka në pjesëmarrjen demokratike dhe barazinë gjinore.


Konferenca fillon në orën 10:00 dhe synon të ofrojë një hapësirë për diskutim, reflektim dhe bashkëpunim për ndërtimin e një ambienti mediatik më të informuar, të drejtë dhe gjithëpërfshirës.