Site icon Telegrafi

Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza në Podujevë, projekt në vlerë 35 milionë euro

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka nënshkruar marrëveshje me Drejtorin e BERZH-it në Kosovë, Sergiy Maslichenko dhe kryeshefin e KRU Prishtina, Arsim Fetahu për ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi për media, ku u tha se vlera e këtij projekti është 35 milionë euro, ku 25 milionë janë kredi nga BERZH-i (kthimin e mjeteve e bën Qeveria e Kosovës), kurse 10 milionë të tjerë sigurohen nga Korniza Investive e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Bulliqi e vlerësoi si ditë të rëndësishme për Komunën e Podujevës nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.

“Me ndërtimin e këtij impianti, jo vetëm që do të trajtojmë ujërat e zeza sipas standardeve bashkëkohore, por edhe do të kontribuojmë në reduktimin e ndotjes së lumenjve dhe mbrojtjen e burimeve ujore”, tha Bulliqi.

Projekti realizohet në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes të pranishëm ishin kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, ministri i Financave, Hekuran Murati, zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, drejtori i BERZH-it në Kosovë, Sergiy Maslichenko dhe kryeshefi i KRU “Prishtina”, Arsim Fetahu. /Telegrafi/

Exit mobile version