Partia Demokratike e Kosovës do t’i hyjë garës së sivjetme për kryetar të Mitrovicës dhe të komunave të rajonit, Skenderaj, Vushtrri dhe në Drenas, me kryetarët e vjetër, e bindur se do të fitojë bindshëm
Zgjedhjet për kryetar të komunave të Kosovës, të cilat do të organizohen këtë vit, kanë mobilizuar të gjitha subjektet politike për t’i zgjedhur emrat e kandidatëve me të cilët do t’i hyjnë garës.
Në Mitrovicë dhe në komunat e rajonit, Skenderaj e Vushtrri, si dhe në Drenas, Partia Demokratike e Kosovës shfaq bindjen se do t’i fitojë zgjedhjet me lehtësi. Ky subjekt politik, më i madhi në Kosovë, në këto komuna do të garojë me kryetarë të vjetër, Avni Kastrati (Mitrovicë), Bajram Mulaku (Vushtrri), Fadil Nura (Skenderaj), dhe në Drenas me kryetarin aktual Ramiz Lladrovcin.
Në degët e PDK-së në këto komuna kanë thënë për “Zërin” se kandidatët e tyre do t’i fitojnë me lehtësi dhe bindshëm zgjedhjet e këtij viti, ndërkohë që kanë vlerësuar se subjektet tjera politike nuk janë të denja për t’u përballur me PDK-në dhe se ata do t’i hyjnë luftës “me pushkë të zbrazët”.
PDK-ja me Kastratin, LDK-ja me Kamberin dhe AKR-ja me Bahtirin
Partitë politike në Mitrovicë kanë filluar fushatën elektorale lokale për qeverisjen e Mitrovicës në katër vjetët e ardhshme. Lufta për vota e pushtet në këtë komunë do të jetë shumë e ashpër për faktin se PDK-ja e Kadri Veselit e ka fitoren në Mitrovicë “për jetë a vdekje”. E ardhmja e Kadri Veselit në politikën kosovare varet shumë nga fitorja në Mitrovicë. Avni Kastrati, i cili për dy mandate kishte qeverisur me Mitrovicën, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2013 kishte humbur nga Agim Bahtiri (AKR), do të jetë kandidat i PDK-së për Mitrovicën.
PDK-ja beson se Kastrati do të ngadhënjejë në zgjedhjet e sivjetme. LDK-ja në Mitrovicë, e cila kishte ndihmuar Agim Bahtirin në zgjedhjet e vitit 2013 dhe ishte në koalicion me të deri para pak muajve, ka konfirmuar se ka nominuar Safet Kamberin për kryetar të Mitrovicës, duke shpresuar se në katër vjetët e ardhshme do të qeverisë me Mitrovicën. Në anën tjetër, AKR-ja dhe lëvizja “Vetëvendosje” kanë lidhur koalicion parazgjedhor me qëllimin që të dalin në zgjedhje me kandidat të përbashkët, me kryetarin e tanishëm të Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Bahtiri pretendon të marrë edhe një mandat për ta qeverisur Mitrovicën duke qenë kandidat i një koalicioni të gjerë të partive politike, AKR-së, LVV-së, AAK-së, “Nismës” dhe PD-së, parti me të cilat është edhe në koalicionin qeverisës aktual në Mitrovicë. Ai ka ripërsëritur se edhe në këto zgjedhje do ta mundë PDK-në, pasi që siç thotë ai, “qytetarët janë përkrah tij, të kënaqur me punën e tij në këtë mandat”.
Subjektet tjera në Mitrovicë ende nuk janë deklaruar për kandidatët me të cilët do të garojnë në zgjedhje.
Situata më e paqartë është në Skenderaj. PDK-ja ende nuk ka vendosur për ndonjë emër konkret, ndonëse në opinion lakohen disa sish.
Zëdhënësi i PDK-së në Skenderaj, Hajriz Koci, tha se PDK-ja akoma nuk është përcaktuar për ndonjë emër që do t’i hyjë garës për kryetar të Skenderajt. “Jemi në fazën e konsultimeve, ende nuk ka asgjë konkrete”, ka thënë Koci.
Kandidati më serioz për t’u ulur në karrigen e Sami Lushtakut, i cili ka qeverisur me Skenderajn prej zgjedhjeve të vitit 2007, është pa dyshim zëvendësi i tij, Fadil Nura, i cili ka drejtuar Skenderajn një mandat të plotë pasi që kryetari i zgjedhur me 80 për qind të votave të qytetarëve të Skenderajt, Sami Lushtaku, ka kaluar mandatin në paraburgim si i akuzuar për “Krime lufte”. Një tjetër emër që lakohet është ai i Faruk Gecit, për të cilin thuhet se e ka mbështetjen e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për faktin se Veseli kishte raporte shumë të mira me babanë e tij, Jetullah Gecin, gjatë luftës.
Ky i fundit ka qenë komandant i Brigadës 112 “Arben Haliti”. Gjithashtu përmendet edhe emri i deputetit Nuredin Lushtaku.
AKR-ja në Skenderaj është përcaktuar për kryetarin e Degës Musa Dërvishajn, si dhe për Arta Mdreshajn dhe Xhavit Spahiun. Njëri prej tyre do të garojë për kryetar të Skenderaj, ndërsa besohet se ai do të jetë Dërvishaj.
Subjektet tjera, LDK-ja, AAK-ja, “Nisma”, “Fjala” ende nuk janë përcaktuar, ndonëse pohohet se LDK-ja do të kandidojë me kryetarin aktual të Degës, Isa Fejzullahu, ndërsa AAK-ja me Qazim Xanin.
Në Vushtrri PDK-ja do të garojë sërish me Bajram Mulakun, i cili për tri mandate ka qeverisur, siç thonë në PDK, “shumë suksesshëm me komunën e Vushtrrisë”. Subjektet tjera politike ende nuk janë përcaktuar për kandidatët e tyre për garën e të parit të Vushtrrisë.
PDK me Lladrovcin apo Bazajn në Drenas?
Gjendja më e paqartë se kush do të qeverisë në katër vjetët e ardhshme është në Drenas. PDK-ja, siç ka thënë edhe kryetari aktual, do të garojë me Ramiz Lladrovcin, i cili ka fituar në balotazh në zgjedhjet e jashtëzakonshme në dhjetorin e vitit të kaluar pas dorëheqjes së Nexhat Demakut. Ndonëse Lladrovci beson se PDK-ja atij do t’ia japë besimin, kryesuesi i Kuvendit të Drenasit, Naim Bazaj, ka thënë se ai do të garojë në zgjedhje për të parin e kësaj Komune, me nominimin e PDK-së.
“Kur jam tërhequr nga gara në zgjedhjet e fundit kam bërë marrëveshje me kryetarin Kadri Veseli, që në zgjedhjet e sivjetme PDK-ja të më kandidoj mua në garën për kryetar të Drenasit. Unë e kam mbështetjen jo vetëm të elektoratit të PDK-së, por edhe të të gjithë qytetarëve të komunës së Drenasit dhe besoj shumë se zgjedhjet do t’i fitojë me shumicë absolute të votave. Nuk vjen në pyetje fare balotazhi”, ka thënë Bazaj.
Në anën tjetër AAK-ja dhe “Nisma” do të garojnë me kandidat të përbashkët dhe ai do të jetë Isa Xhemajlaj, ndërsa “Vetëvendosja”, LDK-ja dhe AKR-ja ende nuk janë deklaruar për kandidatët për kryetar të Drenasit.
Në Komunën e Istogut e pakontestueshme është LDK-ja, e cila ka qeverisur me këtë komunë prej përfundimit të mandatit të qeverisë së përkohshme të Kosovës. Prej atëherë, LDK-ja ka qeverisur fillimisht me Fadil Feratin, e pas vdekjes së tij me Haki Rugovën, i cili aktualisht është kryetar i Istogut. LDK-ja thuhet se do të garojë sërish me Haki Rugovën, i cili është anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa një emër tjetër që lakohet është ai i Agim Ademajt. Rugova ka thënë se ende nuk është deklaruar nëse do të vazhdojë me postin e të parit të Istogut, por ka sqaruar se do të konsultohet paraprakisht me strukturat e partisë. PDK-ja në Istog do të përcaktohet në mes të Shasivar Haxhisë dhe Lulzim Shoshit, ndërsa AAK-ja është deklaruar për Gani Dreshaj.
“Nisma” në Istog do ta mbështesë kandidatin e AAK-së Gani Dreshajn.
Lëvizja “Vetëvendosje” do të garojë me Agron Avdiajn, por lakohet edhe emri i Donika Kadaj-Bujupit, e cila në zgjedhjet e kaluara ka garuar si kandidate e AAK-së./Zeri/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëDërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje