Në Suedi ka nisur zhvendosja historike e kishës 112-vjeçare, për t’i hapur rrugë zgjerimit të minierës më të madhe të nëndheshme në Evropë

Në qytetin Kiruna të Suedisë ka nisur zhvendosja historike e kishës 112-vjeçare Kiruna Kyrka, e cila po lëvizet 5 kilometra për t’i hapur rrugë zgjerimit të minierës më të madhe të nëndheshme në Evropë.
Pas tetë vitesh planifikime dhe një kosto prej rreth 500 milionë koronash (rreth 45 milionë euro), objekti 672-tonësh u vendos mbi një sistem trarësh dhe rimorkiosh speciale.
Mijëra qytetarë, mes tyre edhe mbreti Carl XVI Gustaf, pritet të ndjekin procesin që po transmetohet drejtpërdrejt nga televizioni publik suedez.
Kisha, e ndërtuar në vitin 1912 dhe e dizajnuar nga Gustaf Wickman, njihet si një nga ndërtesat më të dashura kulturore të vendit.
Në vendin e ri do të organizohet edhe një shërbesë me kafe e muzikë, ku synohet të thyhet një rekord botëror.
Gjithsej 23 ndërtesa kulturore do të zhvendosen si pjesë e këtij operacioni unik.
Ndërkohë, disa banorë dhe përfaqësues të komunitetit Sámi kanë shprehur shqetësime për ndikimin e minierës në jetesën e tyre.
Kisha pritet të rihapet në fund të vitit të ardhshëm, ndërsa zhvendosja e plotë e qytetit do të përfundojë deri në vitin 2035. /Telegrafi/

















































