Qyteti i Prishtinës me 22 mars 2025 mirëpriti një nga ngjarjet më domethënëse të vitit në fushën e lidershipit, sipërmarrjes dhe zhvillimit profesional: Samiti Ndërkombëtar “Shtigjet Rotary: Për Ndërmarrësinë, Lidershipin në Biznes dhe Përsosmërinë Profesionale”, i cili u mbajt në ambientet e Swiss Diamond Hotel.

Me pjesëmarrjen e afro 200 liderëve, sipërmarrësve dhe profesionistëve nga 10 vende të Evropës dhe SHBA-të, ky samit shënoi një tjetër moment historik për Distriktin më të ri të Rotary International – D2485 Shqipëri & Kosovë, duke treguar fuqinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe vizionit të përbashkët për të ardhmen.


Ngjarja nisi me hapjen zyrtare te samitit nga Presidentja e RI Stephanie Urchick dhe Guvernatori Butrint Batalli. Më pas vijoi fjalimi kyç i  Guvernatorit të Distriktit D2485, Butrint Batalli, i cili theksoi rëndësinë e ndërlidhjes ndërmjet vlerave të Rotary-t dhe zhvillimit ekonomik.

“Ky samit nuk është vetëm një platformë për shkëmbim idesh—por një skenë për gjenerimin e tyre. Është një lëvizje, një thirrje për veprim dhe një udhëtim drejt përsosmërisë. Rotary nuk është vetëm një rrjet liderësh—por një rrjet vepruesish, ndërtuesish dhe krijuesish ndikimi pozitiv.”

Nga një ide që e nisa një vit më parë, gjatë Konferencës së zyrtarizmit të Distriktit Shqipëri-Kosovë, së bashku me John Hewko, CEO dhe Sekretarin Gjeneral të RI, ky samit u bë realitet sot tha Guvernator Batalli.

Ai propozoi krijimin e një Direktoriumi Ndërkombëtar të Bizneseve Rotary dhe inkurajoi ndërmarrjen e partneriteteve të guximshme ndërmjet anëtarëve përmes këtij rrjeti unik global.

Një nga momentet më kulmore të samitit ishte fjalimi i Presidentes së Rotary International, Stephanie Urchick, e cila përçoi një mesazh të fuqishëm mbi bashkëpunimin, lidershipin etik dhe fuqizimin ekonomik përmes Rotary-t.

Ajo theksoi tri shtylla kryesore për zhvillimin e Rotary-t në epokën moderne: Shërbimi Profesional me Integritet – për të ndërtuar një kulturë globale të besimit dhe etikës profesionale.

Nevojës për bashkëpunime profesionale mes Rotarianëve dhe Mbështetjen që Rotary International bën për Rotarianë përmes mekanizmave të shumtë përfshirë trajnimeve të lidershipit në ngritjen e kapaciteteve të tyre për të krijuar lider të përgatitur.

Panelet Tematike dhe Nënshkrimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare

Programi i pasur i samitit përfshiu tri panele tematike, ku u trajtuan çështje kyçe që lidhen me lidershipin, zhvillimin ekonomik dhe përvojat sipërmarrëse:

Paneli I – Lidershipi Rotary dhe Përsosmëria në Karrierë, me pjesëmarrjen e udhëheqësve të Bordit të Rotary International dhe Guvernatorëve të Distrikteve nga Zvicra, Rumania, Turqia dhe Kosova, të cilët ndanë përvoja të çmuara mbi ndërtimin e karrierës përmes vlerave të Rotary-t dhe ndikimin global të lidershipit etik;

Paneli II – Mundësitë në Treg për Ndërmarrësit, ku u diskutua potenciali ekonomik I Kosovës dhe Shqipërisë, zgjerimi në tregjet ndërkombëtare, investimet e huaja dhe roli i rrjeteve ndërinstitucionale. Në këtë panel morën përfaqësues dhe pjesë figura të rëndësishme si Chargé d’affaires i Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut, përfaqësues nga Plug and Play (një kompani globale inovacioni dhe investimesh (venture capital) me bazë në Silicon Valley, SHBA), si dhe përfaqësues të shoqatave ekonomike nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët ndriçuan mundësitë konkrete të bashkëpunimit rajonal dhe global për sipërmarrësit Rotarianë;

Paneli III – Udhëtimi i Ndërmarrësit: Navigimi i sfidave dhe përkufizimi i suksesit, me ndërmarrës frymëzues nga Kosova, Shqipëria dhe Rumania, të cilët ndanë histori personale, sfida të kapërcyera dhe leksione të mësuara në rrugëtimin e tyre drejt suksesit.

Këto panele u moderuan shkëlqyeshëm nga Florentina Dushi, Blerta Vula dhe Agon Dula.

Gjithashtu, pati edhe kontribuues të tjerë nga Italia, Republika Çeke dhe vende të tjera, të cilët e pasuruan këtë samit me fjalimet dhe kontributet e tyre të vlefshme.

Në kuadër të samitit u mbajt edhe sesioni B2B Rotarian Connect. Qëllimi i B2B Rotarian Connect ishte të krijonte një hapësirë të strukturuar për bashkëpunim konkret ndërmjet sipërmarrësve dhe profesionistëve Rotarianë nga vende të ndryshme, duke mundësuar shkëmbimin e ideve, eksplorimin e mundësive të reja të biznesit dhe nxitjen e partneriteteve strategjike përmes rrjetëzimit profesional dhe ndërtimit të besimit ndërkombëtar.

Pikë tjetër kulmore ishte nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimi dhe krijimi i Komiteteve ndërshtetërore (ICC) midis:

Kosovë–Shqipëri– Zvicër/Lihtenshtajn

Shqipëri/Kosovë–Rumani

Shqipëri/Kosovë–Çeki/Sllovaki.

Në fund të samitit, Guvernatori Batalli theksoi: “Le të ecim përgjatë shtigjeve të Rotary-t me vizion, pasion dhe përkushtim. Së bashku, mund ta bëjmë Rotary jo vetëm organizatën më të madhe shërbyese dhe humanitare në botë, por edhe rrjetin më të besueshëm për ndërmarrësi etike dhe ekselencë profesionale.”

Në përmbyllje të programit, Guvernatorja e Nominuar e Distriktit 2485, Florentina Dushi, së bashku me znj. Blerta Vula Rizvanolli, si pjesë e ekipit bashkëorganizator të samitit, prezantuan konkluzionet kyçe të kësaj ngjarjeje inspiruese:

Nevojën për ndërtimin e një platforme të qëndrueshme bashkëpunimi ekonomik dhe profesional ndërmjet Rotarianëve në nivel ndërkombëtar;

Rëndësinë e mentorimit ndërbrezash dhe ndërdistriktor, si një mjet për fuqizimin e lidershipit të ri dhe për transferin e përvojës dhe njohurive;

Vlerën e rrjetëzimit të vazhdueshëm dhe institucional, ku Rotary shërben si një urë lidhëse mes njerëzve të ideve, vizioneve dhe veprimeve konkrete;

Krijimin e një komiteti të përhershëm (fellowship) të Rotary për Ndërmarrësinë dhe Ekselencën Profesionale, për të ndjekur rekomandimet dhe frymën e këtij samiti në projekte konkrete në të ardhmen.

Ngjarja u shoqërua gjithashtu me një program artistik të pasur, ku përformoi pianistja e njohur Lule Elezi.

Samiti “Shtigjet Rotary” vërtetoi se kur vlerat e shërbimit kombinohen me fuqinë e rrjeteve profesionale dhe të sipërmarrjes, krijohen mundësi reale për zhvillim dhe ndikim të qëndrueshëm, jo vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, por në gjithë rajonin dhe më gjerë.

Samiti u organizua nga Distrikti 2485 Shqipëri–Kosovë, me qëllim promovimin e sipërmarrjes, lidershipit dhe bashkëpunimit profesional ndërkombëtar.