Në Malishevë u shënua 27-vjetori i Masakrës së Gollubovcit

Në Malishevë sot është përkujtuar 27-vjetori i Masakrës së Gollubovcit, një prej krimeve më të rënda të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, u mbajtën aktivitete përkujtimore në nderim të 28 viktimave të vrara më 26 shtator 1998, kryesisht gra, fëmijë e pleq nga fshatrat Pllaqicë dhe Gollubovc.
Në kuadër të aktiviteteve, Kuvendi i Komunës mbajti një mbledhje solemne, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve komunale dhe familjarë të viktimave.
Kryetari Kastrati theksoi se Masakra e Gollubovcit mbetet një nga aktet më çnjerëzore të gjenocidit serb ndaj popullit shqiptar.
“Afro 30 pleq, gra e fëmijë u vranë në mënyrën më mizore. Ky nuk ishte vetëm një krim, por një gjenocid i paramenduar ndaj popullit shqiptar. Ne nuk do të ndalemi kurrë së kërkuari drejtësi për këtë plagë të hapur”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Ndërsa kryesuesi i Kuvendit Komunal, Argjend Thaçi, theksoi se edhe pse masakra ishte një akt i rëndë, ajo nuk e ndali popullin shqiptar nga rruga e lirisë.
“Këto krime nuk e frikësuan popullin shqiptar që të vazhdojë luftën për liri. Ideali i lirisë kurrë nuk ka mundur të shuhet”, u shpreh Thaçi.
Në emër të familjeve foli Liridona Maloku, ndërsa gazetari Enver Maloku falënderoi komunën për kujdesin dhe përkushtimin në ruajtjen e kujtesës historike.
Aktivitetet përkujtimore përfunduan me homazhe dhe nderime në varrezat e viktimave në Pllaqicë dhe në vendin e masakrës në Gollubovc. /Telegrafi/



















































