Disa objekte publike në Lipjan, prej viteve të 80-ta po vazhdojnë të jenë të mbuluara me material të Asbestit i cili po konsiderohej si i dëmshëm për ambientin dhe shëndetin e qytetarëve. Rreth kësaj çështje, subjekti opozitar në këtë qytet, PDK-ja, ka kërkuar me urgjencë nga ekzekutivi që të merren hapa konkret për largimin e tyre.

Në komunën e Lipjanit kanë thënë se kanë formuar një ekip të veçantë për identifikimin e të gjitha objekteve dhe për të marrë hapa konkret për largimin e tyre, ani pse një pjesë e objekteve publike nuk janë në pronësi të komunës.


Rreth kësaj çështje është debatuar mjaftë gjatë edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal në Lipjan, me qëllim që të merren masa urgjente për largimin e këtij materiali nga të gjitha objektet publike qoftë në shkolla, banesa kolektive e të tjera.

Arsim Jashari, shef i grupit të kuvendarëve nga radhët e PDK-së, ka thënë për Telegrafin se materiali i Asbestit është kancerogjen dhe shumë i dëmshëm për shëndetin e qytetarëve derisa ky material liron fibra të rrezikshme që shpërndahen në ambient.

“Kemi një numër mjaftë të madh të objekteve publike dhe private në komunën e Lipjanit që janë ndërtuar vite më parë, atëherë nga ky material i Asbestit mund të pësojnë dëme drejtpërdrejt qytetarët. Në vitet e 80-ta ky material ishte i zakonshëm ku janë ndërtuar shumë objekte banesore e shkolla, por ekziston rreziku i madh për shëndetin e qytetarëve pasi që ky material liron grimca kancerogjene. Prandaj, institucionet komunale duhet të angazhohen me urgjencë për t’i larguar të gjitha këtë materiale nga të gjitha objektet publike”, ka thënë Jashari.

Jashari ka kërkuar nga komuna të formohet një komision i veçantë për të identifikuar të gjitha objektet që janë të mbuluara me këtë material dhe të merren masa urgjente për largimin e tyre.

“Po ashtu kërkojmë edhe nga qytetarët nëpër lokalitete të ndryshme që nëse kanë materiale të tilla nëpër objektet e tyre private, t’i largojnë në mënyrë profesionale sepse edhe gjatë largimit të tyre ato janë të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve pasi që ky material liron grimca të cilat janë të dëmshme dhe kancerogjene”, ka bërë me dije Jashari.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë se çështja e materialit të Asbestit është temë e qëlluar, por komuna prej kohësh e ka të formuar një ekip i cili është në përfundim të procedurave për të marrë hapa konkret për largimin e gjithë këtij materiali nëpër objekte komunale.

“Çështja e asbestit është e drejtë si temë e ngritur. Ekzekutivi ka formuar një ekip i cili është duke u marrë mjaftë moti me këtë çështje. Objekte publike apo në pronësi të komunës ka shumë pak, kryesisht janë një pjesë e barakave të shkollave etj. Në qytet janë disa prej objekteve, por është e rëndësishme që departamenti po merret me këtë çështje dhe jemi në fund të procesit për të marrë hapat e më tejshëm se si do të veprojmë. është temë që ja vlen me u trajtuar dhe ne jemi duke bërë përpjekje në këtë drejtim”, ka thënë Ahmeti./Telegrafi/