LAJMI I FUNDIT:

Në këtë hapësirë qentë ndihen më së keqi kur mbeten vetëm

Në këtë hapësirë qentë ndihen më së keqi kur mbeten vetëm
pexels

Çdo ndarje nga pronari për qenin është një përvojë e pakëndshme, madje traumatike, por me kalimin e kohës, ata mësohen me të

Sipas një studimi nga “Compare the Market”, qentë ndiejnë shqetësimin më të madh kur qëndrojnë në dhomën e gjumit, dhe më së paku kur janë në kuzhinë dhe në dhomën e ndenjës, transmeton Telegrafi.

Një studim britanik që përfshinte një mijë pronarë qensh u krye në një mënyrë të tillë që rrahjet e zemrës së qenve të mateshin në secilën nga dhomat e shtëpisë dhe u përcaktua që rrahjet e tyre të zemrës ishin më të shpejtat në dhomën e gjumit.


Pjesa e dytë më e pakëndshme e një shtëpie për qentë është tarraca, kanë treguar hulumtimet.

Në kuzhinë dhe në dhomën e ndenjës, qentë ndihen më të qetë dhe shkencëtarët e shpjegojnë atë nga fakti që ata lidhin këto dhoma me rezultate pozitive.

Në kuzhinë ata hanë vaktet e tyre, ndërsa dhoma e ndenjës i shoqëron me përqafimet me pronarin, kur pronari është duke parë TV dhe qeni afrohet pranë tij ose luan me pronarin.

Qentë mund të ndjehen të hutuar nëse lihen në dhomën e gjumit, sepse e dinë që pronarët e tyre e përdorin atë dhomë vetëm për të fjetur. Përveç kësaj, disa qen nuk i pëlqejnë hapësirat që i kufizojnë, kështu që ata do të ndihen më të pakëndshëm në tarracë sesa në kuzhinë ose dhomën e ndenjes.

/Telegrafi/