Në kërkim ndërkombëtar për pastrim parash dhe trafik droge, ekstradohen nga Greqia, Belgjika dhe Serbia tre shqiptarë

Tre shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar në Shqipëri nga Greqia, Belgjika dhe Serbia, pas një bashkëpunimi të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve homologe në Athinë, Bruksel dhe Beograd.
Sipas njoftimit zyrtar, në Shqipëri u ekstraduan:
Mikel Hoxha, i njohur edhe me emrin Mikel Papa, i kapur në Greqi. Ai është dënuar nga Gjykata e Beratit me 4 vite burg për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Sipas hetimeve, ai kishte investuar në pasuri të paluajtshme dhe kishte transferuar shuma të mëdha parash te familjarët, të ardhura të përfituara nga shfrytëzimi për prostitucion – vepër për të cilën ishte dënuar më parë në Itali. Nga dënimi total, Hoxhës i mbeten për të vuajtur 3 vite e 9 muaj burgim.
Armando Gropa, 40 vjeç, i arrestuar në Belgjikë, është dënuar nga Gjykata e Apelit Tiranë me 3 vite e 4 muaj burgim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Ai akuzohet se në vitin 2021 ka kultivuar 140 bimë kanabis në një sipërfaqe toke në pronësi të tij në fshatin Grizë.
Suard Onuzi, i arrestuar në Serbi, është ekstraduar në bazë të vendimit të Gjykatës së Kukësit, e cila në vitin 2023 i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”. Ai dyshohet se ka trafikuar në Shqipëri një automjet tip “Mercedes Benz”, i raportuar i vjedhur në Francë.
Autoritetet shqiptare kanë vlerësuar bashkëpunimin e vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, i cili po jep rezultate konkrete në kthimin përballë drejtësisë të personave që i shpëtojnë ndjekjes penale jashtë vendit.

















































