Në Gostivar sot votuan 146 persona të sëmurë dhe të palëvizshëm

Në komunën e Gostivarit, nesër do të mbahen zgjedhjet e përsëritura, ndërsa gjatë ditës së sotme në këtë qytet kanë votuar 146 persona të sëmurë.
“Në komunën e Gostivarit, numri i kërkesave për personat e sëmurë ishte 146 dhe të gjitha u pranuan. Kishim një kërkesë për një person që është në paraburgim shtëpiak; atij iu refuzua kërkesa, pasi të dhënat dhe emrat e personave që gjenden në paraburgim shtëpiak i dërgon Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Personi që bëri kërkesë nuk ishte në atë listë, dhe për këtë arsye iu refuzua kërkesa. Procedurën në vazhdim, personi mund ta vazhdojë duke parashtruar kundërshtim në Komisionin Shtetëror, pasi kjo është e drejta e tij”, tha Ajshe Osmani nga Komisioni Komunal Zgjedhor Gostivar.
Në Gostivar, në listën zgjedhore janë regjistruar 82.870 qytetarë me të drejtë vote, nga të cilët 78.185 janë banorë të përhershëm të komunës.
Në listën e veçantë zgjedhore për persona që jetojnë jashtë vendit janë regjistruar 4.604 votues, ndërsa 81 persona ndodhen në burg ose në paraburgim.
















































