Në nder të 3 Dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Handikos Gjakovë, në bashkëpunim me PARK4RUN Gjakova dhe me mbështetjen e OSBE-së, organizuan sot një aktivitet sensibilizues në zemër të qytetit, që përfshiu vrapim dhe marshim me karroca.

Ngjarja u zhvillua me pjesëmarrjen e organizatave lokale, nxënësve, institucioneve komunale dhe qytetarëve, të cilët përmes këtij aktiviteti përcollën mesazhin e barazisë, respektit dhe gjithëpërfshirjes.


Organizatorët falënderuan PARK4RUN Gjakova për bashkëpunimin, OSBE-në për mbështetjen, Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Policinë e Kosovës për menaxhimin e qarkullimit, si dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe shkollat e qytetit për përfshirjen e nxënësve.

Mbështetje shëndetësore gjatë aktivitetit u sigurua nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe QKMF Gjakovë.

Sipas organizatorëve, qëllimi i aktivitetit ishte përcjellja e një mesazhi të qartë se komuniteti i Gjakovës mbështet parimet e barazisë, dinjitetit dhe përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara. /Telegrafi/