Në Drenas ndalohet përkohësisht gjuetia

Komuna e Drenasit ka njoftuar qytetarët dhe shoqatat e gjuetarëve se, megjithëse sezoni i gjuetisë është shpallur i hapur në nivel vendi, territori i kësaj komune aktualisht nuk i plotëson kriteret ligjore për organizimin e gjuetisë, përcjell Telegrafi.
Sipas vendimit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në Komunën e Drenasit ndalohet çdo aktivitet apo organizim që lidhet me gjuetinë, deri në një njoftim të ri nga Ministria përkatëse.
Komuna ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët, shoqatat e gjuetarëve dhe palët e interesuara të respektojnë këtë vendim dhe të kontribuojnë në zbatimin e tij, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
Vendimi i plotë i Ministrisë është publikuar në faqen zyrtare të Komunës së Drenasit: https://gllogoc.rks-gov.net/shpalljet/. /Telegrafi/


















































