Në derbi flet Gjilani (Foto/Video)

Në minutat e para të ndeshjes, të dyja skuadrat ishin të përqendruara në mesfushë duke treguar kujdes që të mos pranonin gol.
Mirëpo, me kalimin e kohës filluan rastet dhe pa përfunduar pjesa e parë, erdhi goli – skuadra e Gjilanit krijoi avantazh.
Një harkim të Krasniqit e priti Betim Haxhimusa, i cili u tregua i saktë me goditjen me kokë (42’).
Në gjysmën e dytë, tifozët vazhduan të ishin të flaktë duke hedhur mjete piroteknike në fushë dhe duke e detyruar gjyqtarin që ta ndërpriste ndeshjen për diçka më shumë se pesë minuta.
Më të rifilluar loja, pas një aksioni të shpejtë dhe mirë të ekzekutuar, Dren Gashi realizoi golin e dytë të skuadrës që kishte epitetin e mysafirit (56’).
Drita u angazhua në minutat e mbetura duke krijuar disa raste, mirëpo nuk kishte fuqi që t’i ndryshonte gjërat.
Pas minutës së 80-të, ndeshja u ndërpre përsëri, pas hedhjes së sërishme të mjeteve piroteknike në fushë.
Këto ndërprerje bënë që gjyqtari ta vazhdonte lojën me 15 minuta shtesë, mirëpo ato nuk mjaftuan që skuadra që luante si nikoqire të bënte diçka për ndryshimin e rezultatit.
Për më shumë, ishte Gjilani skuadra që shënoi edhe golin e tretë. Dren Gashi shënoi golin e dytë personal në këtë sfidë (96’).
Kujtojmë që edhe para fillimit të ndeshjes pati përplasje të Intelektualëve dhe Skifterëve, megjithatë gjërat u qetësuan pas intervenimit të forcave të rendit. /Telegrafi/



























































