LAJMI I FUNDIT:

Ndryshimet klimatike ulin prodhimet bujqësore në Maqedoninë e Veriut

Ndryshimet klimatike ulin prodhimet bujqësore në Maqedoninë e Veriut

Për shkak të ndryshimeve klimatike, kultivimi i fasules në rajonin e Tetovës ka rënë për më shumë se 80 për qind, thotë për Radion Evropa e Lirë, bujku Mehmet Sinani.

Fasulja që mbillet në Tetovë të Maqedonisë së Veriut njihet për cilësi të lartë dhe është e kërkuar jo vetëm në këtë shtet, por edhe në të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë.

“Me ndryshimin e klimës, do të thotë me ngrohjen globale, fasulja në temperaturë mbi 35 gradë Celsius e aborton lulen. E siç e dimë, gjatë verës për muaj të tërë nuk kishte të reshura shiu dhe temperaturat ishin mbi 35 gradë Celsius, prandaj këtë vit nuk ka rendimente të fasules. Çmimi ka arritur në 250 apo 300 denarë (rreth 5 euro), por fasulja e Tetovës nuk mund të gjendet askund”, thotë Mehmeti.


Ai thotë se nga 3 mijë metra katrorë të mbjella me kokrra të fasules, ka arritur të nxjerrë vetëm 15 kilogramë fasule.

Mehmeti thotë se institucionet shtetërore duhet t’u dalin në ndihmë bujqve, pasi rritja e temperaturave po pamundëson që ata të merren me bujqësi.

“Shteti duhet të bëjë investime shumë të mëdha. E kam fjalën për sigurimin e rrjetave që mundësojnë mbrojtjen nga dielli dhe breshëri, pasi këto rrjeta e ndalojnë djegien e luleve”, thotë Mehmeti.

Nga Ministria e Bujqësisë thonë se po punojnë që të krijojnë një sistem të sigurimeve për të gjitha prodhimet bujqësore.

“Ky sistem do të ofrojë një zgjidhje afatgjate për problemet që vijnë nga katastrofat natyrore dhe ndryshimet klimatike në sektorin e bujqësisë”, thonë nga kjo ministri.

Por, bujqit ankohen se përmes këtij sistemi të sigurimeve do të mbrohen vetëm disa kultura bujqësore dhe dikasteri i bujqësisë, sipas bujkut Mehmet Sinani, ka ulur subvencionet për prodhimin e fasules nga 25 mijë denarë (400 euro) në 10 mijë denarë (160 euro).

“Në pyetjen time për Ministrinë e Bujqësisë pse ndodhi kjo (ulja e subvencioneve), ajo na tha sepse është ulur prodhimi. Pra, Ministria e Bujqësisë duhet ta kuptojë se këto subvencione janë për nxitjen e prodhimtarisë”, thotë Sinani.

Por, Ministria e Bujqësisë thotë se sa i përket luftës kundër ndryshimeve klimatike, mbetet e përkushtuar në “rajonizimin e bujqësisë sipas kushteve klimatike dhe përbërjes së truallit për prodhimtari të planifikuar bimore dhe blegtorale, si dhe përpilim të listave të kulturave dhe llojeve të rekomanduara, duke i pasur parasysh edhe prodhimet tradicionale”.

Nga Fakulteti i Bujqësisë në Shkup kërkojnë që të investohet në kryqëzimin e farës, në mënyrë që prodhime të caktuara të mund të bëhen më të qëndrueshme ndaj ndryshimeve klimatike.

“Pritet që në të ardhmen të kemi periudha edhe më të gjata me thatësi, pa reshje të shiut. Ndërkohë që ne si shtet e kemi shumë të rëndësishme sektorin e bujqësisë dhe në këtë drejtim, shteti duhet të gjejë mekanizma për të ofruar ndihmë serioze për buqit, e para për t’i edukuar rreth kryqëzimit të farave. Pra mbjelljen e farave që kërkojnë një afat më të shkurtër kohor”, thotë Ilija Karov, ligjërues për mbrojtjen e bimëve.

Karov thotë se bujqit vetë nuk mund të përballojnë inovacionet sa i përket kryqëzimit të farave, prandaj ai thotë se duhet të bëhet një strategji shtetërore për dekadën e ardhshme, që përmes trajnimeve të ndryshme, bujqit të mësojnë se si t’iu bëjnë ballë ndryshimeve klimatike.

“Në këtë kohë të vështirë ka shumë mirëkuptim nga ana e bujqve për të bërë ndryshime në prodhimin e produkteve të caktuara, por ata këtë nevojë e theksojnë si në aspektin material dhe atë të njohurive, prandaj ata nuk duhet të lihen vetë në këtë kohë të vështirë”, thotë ai.

Me këtë pajtohet Tode Llazarevski, bujk nga rajoni i Prilepit.

“Nuk mund të përballojmë aplikimin e metodologjive të reja për prodhimet bujqësore. Në rajonit e Prilepit dhe Manastirit, vetëm 1 për qind kanë arritur të blejnë traktorë të rinj dhe të mos flasim për aplikimin e teknologjive të reja, për këtë duhen edhe para, por edhe njohuri. Ndërkohë, që të dyja vështirë se sigurohen pa ndihmën e fuqishme nga shteti”, thotë Llazarevski.

Ndryshe, fasulja që prodhohet në rajonin e Tetovës njihet për cilësi të lartë dhe mbrohet edhe nga Enti Shtetëror për Pronësi Institucionale.

Në Maqedoninë e Veriut, bujqësia përbën 11 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. Në bazë të regjistrimit për bujqësi më 2007, mbi 436 mijë e 800 persona janë të regjistruar si bujq individualë, ndërkaq 94 mijë persona kanë thënë se angazhohen si punëtorë sezonalë në sektorin e bujqësisë./REL/