Site icon Telegrafi

Ndryshime të mëdha në vitin 2024 në Gjermani – Nga taksat, pagat deri tek pensionet

Shumëçka do të ndryshojë për banorët e Gjermanisë në vitin 2024. Rritet paga minimale dhe shtesat e ndryshme për ata me gjendje më të dobët financiare.

Por, në disa segmente, jeta do të jetë më e shtrenjtë. Në fillim të vitit 2024, do të hyjnë në fuqi shumë reforma dhe ndryshime në ligje që prekin jetën e përditshme. Deutsche Welle prezanton një listë të asaj që po ndryshon.

Shtesa civile

Që nga 1 janari, më shumë se pesë milionë marrës të të ashtuquajturit shtesa qytetare (Bürgergeld) do të pranojnë mesatarisht 12 për qind më shumë para. Për beqarët, shuma e kësaj ndihme rritet me 61 euro dhe do të arrijë në 563 euro në muaj. Të rriturit që jetojnë me një partner do të marrin 506 euro dhe për çdo fëmijë, në varësi të moshës, nga 357 deri në 471 euro.

Shtesa për fëmijë po rritet gjithashtu

Shtesa për fëmijë (Kinderzuschlag) u jepet prindërve që punojnë, por kanë paga të ulëta. Shuma maksimale që mund të merret do të rritet nga 250 në 292 euro, në varësi të të ardhurave dhe pasurive të mundshme.

Kufiri më i ulët për përfitimin e lehonisë

Së shpejti, kufijtë më të ulët të të ardhurave do të zbatohen për ushtrimin e të drejtës së përfitimit të lehonisë (Eltergeld), e cila merret për një periudhë të caktuar kohore nga prindërit që nuk punojnë ose kanë shkurtuar orarin e punës pas lindjes së fëmijës.

Lexo po ashtu Punëtorët në Gjermani zbulojnë pagat e tyre në rrjetet sociale - shikoni sa paguhen në ndërtimtari dhe infermieri

Deri më tani, këtë kompensim mund ta merrnin prindërit, të ardhurat e të cilëve, që përbëjnë bazën tatimore, nuk i kalojnë 300 mijë euro në vit dhe prindërit e vetëm që nuk fitojnë më shumë se 250 mijë euro. Nga prilli i vitit 2024, ky kufi për çiftet do të reduktohet fillimisht në 200 mijë të ardhura vjetore dhe nga prilli 2025 në 175 mijë euro. Nga prilli, kufiri prej 150 mijë eurosh vlen për prindërit e vetëm.

Shtesa për kujdesin e një fëmije të sëmurë

Që nga viti 2024, prindërit e punësuar që janë të siguruar ligjërisht për kujdesin shëndetësor kanë të drejtën e kompensimit të pushimit mjekësor për kujdesin e një fëmije të sëmurë (Kinderkrankengeld) për 15 ditë, dhe prindërit e vetëm për 30 ditë. Deri më tani ishin 10 apo 20 ditë.

Më shumë para për punonjësit me të ardhura më të ulëta dhe pjesëmarrësit e arsimit profesional
Nga viti 2024, paga minimale e përcaktuar me ligj do të rritet nga 12 në 12.41 euro. Gjithashtu është planifikuar një rritje në 12.82 euro për vitin 2025. Kjo gjithashtu rrit shumën maksimale të lejuar për punonjësit në të ashtuquajturat mini pune ( Minijob) nga 520 ne 538 euro. Ky është kufiri i të ardhurave mbi të cilin nuk paguhen taksat dhe përfitimet e tjera.

Edhe paga minimale për pjesëmarrësit e arsimit profesional (Chirantët) në vitin e parë po rritet me 4.7 për qind, në 649 euro. Megjithatë, është e mundur të vendosen përjashtime përmes kontratave tarifore.

Baza më e lartë pa taksa

Në vitin e ri do të rritet edhe baza e patatueshme (Grundfreibetrag), pra shuma e të ardhurave për të cilat marrësi nuk është i detyruar të paguajë tatimin, nga 10.908 në 11.784 euro. Gjithashtu rritet edhe baza pa taksa për fëmijë (Kinderfreibetrag) nga 6024 në 6612 euro. Është rritur edhe kufiri i të ardhurave nga i cili paguhet taksa më e lartë (Spitzensteuersatz), nga 62,810 në 66,761 euro.

Shtesat e kujdesit 

Shtesa e ndihmës dhe kujdesit (Pflegegeld) rritet me pesë për qind, që në varësi të nivelit të nevojës do të thotë 16 deri në 45 euro më shumë në muaj.

Lehtësimi po futet edhe për personat që kanë nevojë për kujdes dhe që qëndrojnë në shtëpi pleqsh: shtohen shtesat e kujdesit nga pesë deri në dhjetë për qind, në varësi të kohëzgjatjes së qëndrimit në institucion.

Rritja e moshës së pensionit

Mosha ligjore e pensionit në vitin 2024 është 66 vjeç. Kjo vlen për të lindurit në vitin 1958. Për ata që kanë lindur më vonë, kufiri i moshës rritet me dy muaj në vit, që do të thotë se do të duhet të punojnë më gjatë.

Rregullat e reja të ngrohjes për ndërtimet e reja

Sa i përket energjisë, konsumatorët do të duhet të llogarisin me kosto më të larta. Nga viti 2024 do të hyjë në fuqi Ligji për Ngrohjen, sipas të cilit vetëm sistemi i ngrohjes që përdor të paktën 65 për qind të energjisë nga burime të rinovueshme mund të instalohet në ndërtesat e reja të banimit brenda zonave të reja të ndërtuara. Në shumicën e rasteve, këto duhet të jenë pompa nxehtësie.

Një çmim më i lartë për CO2 dhe heqja e stimujve për veturat elektrike

Sasia e të ashtuquajturit Taksa e CO2, d.m.th taksa mbi energjinë nga burimet që dëmtojnë klimën. Nga 1 janari shkon në 45 euro për ton, çka do të shtrenjtojë karburantin dhe naftën ose gazin për ngrohje. Për shkak të vrimës në buxhetin e shtetit, frenat shtetërore për çmimin e energjisë elektrike dhe gazit do të hiqen nga 1 janari. Por, për shkak të rënies së çmimeve në treg, ato gjithsesi nuk luanin më asnjë rol për shumicën e konsumatorëve.

Nga viti 2024, stimulimi shtetëror, i ashtuquajturi Umweltbonus, për blerjen e një veture elektrike.

Rritje e TVSH-së në gastronomi

Në vitin e ri daljet në restorante dhe kafene mund të bëhen më të shtrenjta, pasi nga 1 janari, norma e rregullt e TVSH-së prej 19 për qind do të zbatohet sërish për gastronominë, në vend të shtatë të mëparshmes.

Recetë elektronike e detyrueshme, tarifë paketimi dhe pasaportë për fëmijë

Mjekët janë të detyruar të lëshojnë receta elektronike që nga janari. Tarifa e kthimit është vendosur edhe për ambalazhimin e qumështit dhe pijeve qumështore, nëse ato shiten në shishe plastike.

Nga janari në Gjermani nuk do të mund të pajiset më pasaportën e fëmijëve, e cila deri më tani lëshohej për fëmijët deri në 12 vjeç. Në vend të kësaj, po prezantohet një pasaportë elektronike me një kohëzgjatje më të gjatë dhe mundësinë e përdorimit të saj për udhëtime në mbarë botën.

Gjegjësisht, pasaporta e mëparshme e fëmijëve nuk kishte çip sigurie, kështu që lëshohej vetëm për një vit dhe nuk njihej në disa vende. /Telegrafi/

Exit mobile version