Ndotja në fshatin Dragancë të Gjilanit - kërkohet ndërhyrje nga institucionet lokale

Një sasi e madhe mbeturinash është evidentuar në fshatin Dragancë të Komunës së Gjilanit, duke ngritur shqetësime për ndotjen e mjedisit.
Pamjet e gjendjes së rënduar janë publikuar nga asamblisti i LDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Besim Guda, i cili këtë situatë e ka cilësuar si “bukuria e trishtuar”.
Guda ka theksuar se shteti duhet të marrë masa konkrete për menaxhimin e mbeturinave, duke propozuar që qytetarët të subvencionohen për depozitimin e tyre në deponi zyrtare.
“Një traktor me mbeturina do të duhej të paguhej nga shteti me 10 ose 20 euro, në mënyrë që të ruante mjedisin në Kosovë. Tek e fundit, e kemi shembullin e mbeturinave metalike, të cilat nuk i gjeni askund sepse shiten. Masat ndëshkimore më duken veç farsë”, ka deklaruar ai.
Ky shqetësim i ngritur nga asamblisti rikthen në vëmendje nevojën për politika më të qëndrueshme të menaxhimit të mbeturinave dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit. /Telegrafi/

















































