Në Istog, inspektorët e KRU “Hidrodrini” dhe Policia kanë ndërmarrë një aksion për të luftuar keqpërdorimet e ujit të pijes duke shkyçur 5 lidhje ilegale të hasura në ekonomitë familjare.
KRU “Hidrodrini” nëpërmjet një postimi në Facebook kanë bërë të ditur se këto lidhje ilegale po ndikojnë negativisht në furnizimin e ujit dhe përveç masave në vendngjarje, rasti ka kaluar për masa ligjore.
“Në kuadër të aksioneve ndaj keqpërdoruesve të ujit të pijes, Inspektorët Rajonal të KRU ‘Hidrodrini’ të asistuar edhe nga Policia, në Istog, vetëm sot, kanë shkyçur 5 lidhje ilegale, që janë hasur nëpër ekonomi familjare. Përpos masave të menjëhershme në vendngjarje, rasti është proceduar për masa ligjore”, kanë shkruar ndër të tjera ata në Facebook, transmeton Telegrafi.
KRU “Hidrodrini” përveç keqpërdorimeve nga konsumatorët e saj është duke u përballur edhe me mungesën e ujit si shkak i thatësirave të shkaktuara nga temperaturat e larta.