LAJMI I FUNDIT:

Nafta arrin 101 dollarë për fuçi

Sipas parashikimeve të ekspertëve çmimi mund të stabilizohet në 100 dollarë për fuçi.

Rritje e lehtë e çmimit të një fuçie në bursat ndërkombëtare

Çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare ka mbetur në nivele të ulëta, edhe pse ka shënuar një rritje të lehtë me disa centë. Në bursën e Nju-Jorkut ari i zi u kuotua me 101 dollarë për fuçi, ose 21 centë më shumë se një ditë më parë. Sipas ekspertëve edhe gjatë ditëve të ardhshme nafta të vazhdojë të ruajë këto nivele.


Rënia e çmimit

Çmimet e naftës pësuan rënie në më pak se një javë më parë, pas njoftimit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara për nxjerrjen në treg të rreth 250 mijë fuçi naftë nga rezervat e saj strategjike të naftës për të ndihmuar në deficitet e shkaktuara. Më 9 shtator çmimi i naftës u ul deri në 104 dollarë për fuçi, duke kapur nivele minimale në krahasim me pesë muajt e fundit. Sipas të dhënave të agjencive të huaja të lajmeve, një fuçi nafte për porositë e muajit tetor ra deri në 104.98 dollarë, kurse në bursën evropiane të naftës ra deri në 102.03 dollarë për fuçi. Disa ekonomistë thanë se investitorët janë duke u përqendruar përsëri në gjendjen e ekonomisë globale dhe duke ulur kërkesat për naftë. Nga ana tjetër, parashikimet mund të çojnë deri në një çmim të naftës prej 100 dollarë për fuçi. Vetëm një ditë pasi OPEC-u ra dakord të ulë prodhimin global me mbi 500 mijë fuçi në ditë, çka ndikoi sërish në rritjen e çmimit të arit të zi, shtete si Venezuela besojnë se çmimi i naftës mund të stabilizohet në 100 dollarë për fuçi. Një deklaratë e tillë doli nga ministri venezuelas i Naftës, Rafael Ramirez. “Ne nuk e dimë me saktësi nivelin ku do të stabilizohet tregu, por mendojmë se do të jetë rreth 100 dollarë për fuçi”, – tha ai. OPEC-u caktoi sasinë e prodhimit në një mbledhje në Vjenë, ku u diskutua për rënien e mprehtë të çmimeve të naftës, pasi këto kishin arritur pikun e tyre me më shumë se 147 dollarë për fuçi në korrik. OPEC-u ka vendosur të kthehet tek tavani i prodhimit të rënë dakord në shtator të vitit të kaluar dhe t’u përmbahet këtyre niveleve. Megjithëse OPEC-u mënjanon një çmim fiks, analistët shprehen se disa anëtarë me ndikim të madh nuk duan ta shohin çmimin e naftës më poshtë se 100 dollarë.

Arsyet

Rënia e fundit e çmimit të naftës ka ardhur si pasojë e rritjes së dollarit amerikan dhe pritshmërisë se OPEC-u nuk do të ndërpresë nivelin e prodhimit. Sipas specialistëve të ndërkombëtarë, çmimet e naftës janë ndikuar edhe nga situata e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ndikuar nga disa uragane, por që fatmirësisht nuk kanë shënuar dëme të konsiderueshme, siç ishte uragani “Gustav”, që nuk shkaktoi dëme në objektet e kompanive të naftës gjatë kalimit të tij në Gjirin e Meksikës. Qeveria e Shteteve të Bashkuara theksoi se asnjë nga rafineritë dhe tubacionet e naftës në Gjirin e Meksikës nuk kishte rifilluar prodhimin e naftës, por disa kompani njoftuan se janë të gatshme që punëtorët e evakuar të fillojnë përsëri punën duke filluar nga java e kaluar. Pas hapjes së bursës në Azi çmimet e naftës janë ngritur sërish, si pasojë edhe e uraganit “Ajk”, i cili ka shtyrë kompanitë përgjatë bregdetit të Teksasit të mbyllin rafineritë dhe të ndalojnë nxjerrjen e naftës. Çmimi i naftës në bursën e Nju-Jorkut dhe të Londrës kishte pësuar uljen me të madhe për pesë muajt e fundit. Kjo për shkak të forcimit të valutës së dollarit amerikan dhe rënies së kërkesave globale për karburante.

Rekordet e naftës në vite:

1970

Çmimi i naftës që prodhohej në Arabinë Saudite shitej në SHBA me 1.80 dollarë për fuçi

1974

Çmimi kaloi shifrën e 10 dollarëve për fuçi për shkak të embargos së vendosur nga OPEC-u gjatë luftës së Kipurit

1979

Çmimi i kaloi 20 dollarë për fuçi. Revolucioni iranian ka qenë shkaku për shokun e dytë të naftës

1980

Çmimi i naftës kapi shifrën mbi 30 dollarë për fuçi, shkak u bë lufta mes Iranit dhe Irakut

1981

Në fillim e këtij viti çmimi arriti një tjetër rekord: mbi 39 dollarë për fuçi

1990

Në më pak se një dekadë çmimi i naftës shkoi në mbi 40 dollarë për fuçi për shkak të luftës në Gjirin Persik

2004

Në mes të vitit, çmimi i naftës arriti në 50 dollarë për fuçi dhe në fund të vitit një tjetër rekord është shënuar kur ari i zi u shit me 55 dollarë për fuçi

2005

Çmimi i naftës arriti në 60 deri në 70 dollarë për fuçi për shkak të uraganit “Katrina”

2006

Në mes të sezonit turistik çmimi i naftës u kuotua me 75 dollarë për fuçi

2007

Çmimi i naftës arriti në 90 dollarë për fuçi, ndërsa në nëntor kapi kuotën 99.2 dollarë për fuçi

2008

Në fillim të vitit çmimi i naftës ishte më pak se 100 dollarë për një fuçi, ndërsa në mes të vitit arriti në 147 dollarë për fuçi, një nga rekordet më të larta.

Bankat dhe grupet industriale

Kërkesa për naftën 1 milion fuçi në ditë më shumë në 2009-n

Ekspertët parashikojnë një rritje të kërkesës për naftë vitin e ardhshëm. Sipas agjencisë së lajmeve “Reurters”, që në muajin gusht rritja e konsumit dhe kërkesa për karburante do të sjellë edhe një rritje më të shpejtë në tregjet e vende në zhvillim të shpejtë, duke shtuar problemet ekonomike. Kërkesa në të gjithë botën do të shtohet nga 950 mijë fuçi në ditë në 2009-n me 8,5 milionë fuçi në ditë. Këto të dhëna janë bërë pas një ankete të analistëve të agjencisë së lajmeve në banka apo grupet më të mëdha industriale, duke parashikuar një shtim kërkese me 760 mijë fuçi në ditë gjatë vitit të ardhshëm. Sipas Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, nivelet e larta që mbajti çmimi i naftës janë pasojë e dobësimit të dollarit dhe acarimit të klimës gjeopolitike. Kjo është ajo që u deklarua pak kohë më parë nga presidenti i OPEC-ut Chakib Khelil. Sipas tij, çmimi i naftës bruto mund të arrijë përsëri në 70-80 dollarë për fuçi në rast të forcimit të dollarit dhe uljes së tensioneve gjeopolitike, veçanërisht me Iranin.

Prodhimi

OPEC-u vendosi t’i kthejë kuotat e prodhimit ditor në nivelet e shtatorit të vitit 2007, respektivisht në 28,8 milionë fuçi. Në këtë kuotë nuk janë përfshirë Indonezia, e cila edhe zyrtarisht e braktisi kartelin në takimin e Vjenës, si dhe Angola dhe Ekuadori, që para një viti nuk ishin anëtare të OPEC-ut. Disa muaj me radhë anëtarët e OPEC-ut, veçanërisht Arabia Saudite, prodhojnë naftë mbi kuotat e caktuara, për çka prodhimi arriti 29,67 milionë fuçi në ditë. Kryetari aktual i Organizatës mendon se vendimi i OPEC-ut nuk do të kontribuojë për rritje drastike të çmimit të naftës. /Metropol/