“Na sprovoni” – Faton Abdullahu i bindur që PDK mund ta formojë qeverinë

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu, ngërçin e krijuar me moskonstituimin e Kuvendit e ka quajtur “axhamillëk politik”.
Sipas tij, bashkëpunimi është i vështirë kur ka qasje me arrogancë refuzuese.
“Ne si PDK, Krasniqi dhe Hamza e kanë bërë të ditur që jemi të gatshëm të krijojmë të gjitha institucionet me forcat opozitare. Veç le të na i jep LDK 19 vota, 20 i kanë po veç me 19, ne i bëjmë” – ka deklaruar Abdullahu në KallxoPërnime, duke refuzuar të tregojë saktë se si do e formojnë Qeverinë.
Tutje ai ka thënë se qëndrimi i PDK-së se nuk e voton Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit është i qartë, dhe se nëse votohet ajo humbet mundësia e krijimit të një fronti të përbashkët të partive të tjera.
Edhe pse sipas tij, PDK nuk është refuzues ndaj të gjithë deputetëve të VV-së, për pozitën e kryekuvendarit.
Abdullahu thotë se PDK-së duhet t’i jepet mundësia të tregojë se a i ka votat.
“Na sprovoni, jepnani mundësinë” – thotë Abdullahu, duke shtuar se Kurti e VV nuk i kanë votat.
Ai shton se faji i moskonstituimit nuk mund të ndahet në mënyrë të barabartë tek partitë politike.
“Ne jemi të hapur për forcat tjera politike, të ashtuquajtura deri dje opozitare. Është qasje shumë konstruktive e jona” – ka shtuar Abdullahu.
Tutje ai ka thënë se PDK është treguar pragmatike edhe gjatë fushatës, nuk ka qenë arrogante dhe nuk ka vendosur vija të kuqe.
Duke u kthyer prapa në kohë, Abdullahu thotë se PDK me më pak vota se LVV tani kishte arritur me ndërtu instutucionet me bashkëpunim.
Për herë të 31-të është ndërprerë seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës më 13.06.2025 për të vazhduar pas 48 orëve, më 15.06.2025, në ora 11:00.


















































