Muzikë franceze në Bibliotekën Kombëtare

Vepra të autorëve të ndryshme francezë do të performohen nga dymbëdhjetë studentë të Fakultetit të Arteve, përkatësisht të Degës së Muzikës në Universitetin e Prishtinës. Vepra të Bizet, Martini, Chandavione, Mendelson, Tender Exaudet, Pergolele dhe Faure janë përzgjedhur të jenë pjesë e programit të koncertit, i mbështetur nga Ambasada Franceze në Prishtinë.
Besa Berberi, ekzekutuese e projektit në UP, ka thënë për gazetën “Koha Ditore” se ideja e kësaj ka dy arsye. “Studentët tanë zakonisht performojnë muzikë italiane dhe muzikë gjermane dhe ne kemi dashur që ata të mësohen edhe me linguistikën e muzikës së gjuhës franceze. Arsyeja e dytë është ofrimi i muzikës vokale franceze përmes këtyre zërave për publikun e kësaj muzike”.
Koncerti do të bëjë bashkë në BKUK zërat e Albulena Krasniqit, Elbetina Kajtazit, Alban Fekës, Minire Berishës, Bujar Gashit, Rilind Kallabës, Albiana Sylës, Azem Lukajt, Shaban Behramit, Marigona Qerkezit dhe Kaltrina Myftarit e Albulena Misinit.
Në piano solistët do të jenë të shoqëruar nga Neritan Hysa. Berberi, e cila është profesoreshë në degën e Muzikës, dhe Claire Lucas, profesoreshë në Universitetin e Muzikës “Français Langue Etrangere”, janë ata që për më shumë se një muaj janë përkujdesur që ky koncert të jetë sa më profesional./Telegrafi/




















































