Muzeu Etno-Kastrioti pasurohet me eksponate 200-vjeçare

Muzeut Etno-Kastrioti në Isniq të Deçanit, krahas mijëra eksponateve të vjetra të grumbulluara ndër vite, këto ditë i është shtuar edhe një “Kosh i Drithërave”, i vjetër rreth 200 vjet.
Zekë Sinanaj, pronar i mëparshëm i këtij eksponati, thotë se me kënaqësi e ka dhuruar koshin për muzeun, i bindur se këtu do të ruhet më mirë dhe do t’i zgjatet jetëgjatësia e tij.
"Miftarit kanë filluar kohëve të fundit, sidomos duke e parë rëndësinë e këtij projekti, t’i ofrojnë eksponate të ndryshme pothuajse nga të gjitha vendet. Natyrisht, në oborrin e familjes sonë e kemi pasur edhe këtë kosh, i cili vlerësohet të jetë mbi 200 vjeç. Për të mos u shkatërruar krejtësisht, kam vendosur ta sjell këtu që gjeneratat e ardhshme të shohin si kanë ditur ta ruajnë misrin dhe prodhimet e tjera të paraardhësve tanë. Prandaj, mendoj se është shumë i rëndësishëm, sikurse të gjitha eksponatet e tjera që janë këtu", tha Sinanaj.
Dhurimin e këtij eksponati të vjetër e ka mirëpritur edhe koleksionisti Miftar Januzaj, i cili tha se ky shtesë do të rrisë edhe më shumë vlerën e muzeut.
"Pas shumë eksponateve që na i kanë sjellë nga i gjithë vendi dhe rajoni, është edhe ky kosh, i përdorur nga familja e Selman Bejtë Sinanaj dhe i sjellë në Muzeun Etno-Kastrioti nga djali i tij, Zekë. Çka është me rëndësi, për brezat që do të vijnë, këto eksponate do të tregojnë përmes trashëgimisë sonë se kush ishim", deklaroi koleksionisti Miftar Januzaj.
Ai ndërkaq ka një lutje për të gjithë qytetarët që artefaktet dhe eksponatet e tilla të mos i shkatërrojnë, por t’i sjellin në muze, në mënyrë që të ruhet trashëgimia kulturore e këtij lokaliteti nëpër kohë./RTK











































