Në një mbrëmje dimri, trokitjeve të mia në derën e një shtëpie të lagjes së kamur Belgravia të Londrës, iu përgjigj një zonjë që dukej të ishte diku rreth 30-vjeçare. Kishte trup të gjatë dhe të hollë. Fytyra dhe dy sytë e saj të vegjël dhe shkëlqzes që qëndronin pas syzave të stilit John Lennon, ofronin mirëseardhje. “Baba është duke iu pritur”, tha me buzëqeshje. Ishte e pabesueshme se sa shumë kjo zonjë përngjante në aktoren e cila luan rolin e gruas së Rocky Balboas në filmin po me këtë emër ku rolin e tij (boksierit) e luan Silvester Stallone. Kjo ishte vajza e Lord Amery-it apo Julian Amery, siç njihet më shumë te shqiptarët ky personalitet i rëndësishëm.
Shtëpitë e aristokratëve britanikë ruajnë një sharmë të veçantë të tradicionales, por në shumicën e rasteve, janë të zymta. Orenditë klasike, përfshirë tepihët dhe perdet, nuk e lejojnë elementin e modernizimit. Anglezët, kur presin mysafirë, sidomos nëse ata janë gazetarë, tregojnë kujdes të madh. Vishen bukur dhe kravata është pjesë e domosdoshme e kompletit të rrobave. Për habinë time, Lord Amery nuk ishte i veshur në këtë mënyrë të zakonshme. Mbi pizhame ngjyrë të gjelbër, kishte një gunë të gjatë që përdoret në shtëpi gjatë ditës dhe natës.
Lordi i dha zor të ngritej apo pretendoi, siç mendova unë, por nuk mundi. Tentativa e tij përfundoi me një lëvizje të lehtë nga vendi. Disa herë kishim biseduar për intervistë dhe më në fund i erdhi radha edhe kësaj pune.
Personaliteti i politikës kolonialiste, intervencioniste dhe imperialiste britanike, siç do ta quanin disa, dhe legjenda e ideimit dhe ekzekutimit të operacioneve sekrete, gjendej para meje. E nxora diktafonin dhe e vendosa mbi tavolinë, afër shishes me uiski nga e cila Lordi kishte konsumuar së paku një gotë (më vonë i ndihmova edhe unë me një apo dy gota).
Filloi shpalosja e rëndësishme e historisë ku ai kishte marrë pjesë. Më vonë nxora edhe fotoaparatin të cilin e kisha mbushur me film më të mirin (Kodak 400) që të mos dështoja dhe njëra nga pozat është kjo që po e shihni në këtë shkrim.
Lord Amery nuk ndjehej mirë me shëndet. Në sytë e tij shihej një lodhje e përzier me një mërzitje të madhe. Ishte diku rreth 74-vjeçar, por jeta, me dinamikën e saj të stërngjeshur, e kishte mundur. Në realitet, në fund të bisedës e kuptova se ai më kishte nderuar me intervistë, përkundër faktit që ishte i sëmurë dhe përkundër asaj që ia pashë për të madhe veshjen. Ndoshta këtë e kishte bërë edhe për veten e tij, që t’i thoshte disa gjëra para se të largohej nga kjo botë. Nuk u takuam më dhe, pas një viti (shtator 1996), Lord Amery ndërroi jetë.
Familja Amery ka qenë e njohur dhe me traditë politike. Babai i Julian Amery-it, Leo, ka ushtruar disa funksione shtetërore dhe ka qenë ndër shokët më të afërt të Churchill-it. Duke e vazhduar traditën aristokrate, Julian është edukuar në shkollat elitare britanike – Eaton College dhe Oxford University. Julian, si student ishte bërë i njohur për publikun britanik për shkak të lidhjes së tij të dashurisë me shkrimtaren Barbara Pym, e cila ishte dukshëm më e vjetër se ai.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, familja Amery është ballafaquar me një problem serioz. Vëllai i Julian-it, John-i, ka qenë fashist, i cili shkoi në Gjermani për t’iu bashkuar aparatit shtetëror të Hitlerit ku ushtroi propagandë kundër Britanisë së Madhe dhe ShBA-ve. Më vonë i ndihmoi Musolinit, derisa në fund të luftës u kap nga forcat britanike, u soll në Londër dhe u dënua me vdekje (varje) për tradhti. Kjo gjë ka qenë një njollë jo e lehtë për familjen Amery.
Megjithatë, Britania e Madhe është vend demokratik ku përgjegjësia është personale dhe nuk i kalon këta kufij. Pra, kjo gjë nuk e ka penguar familjen Amery, veçanërisht Julian-in, që ai pas luftës të ushtrojë funksione të larta shtetërore. Por, Julian Amery gjatë luftës ka treguar patriotizëm dhe heroizëm të madh. Përpos veprimeve tjera, ai në histori ka hyrë për rolin e tij që luajti në Shqipëri dhe më vonë për Shqipërinë. Në vitin 1943, Julian Amery, David Smiley dhe Billy McLean u dërguan në Shqipëri si oficerë ndërlidhës me grupet që luftonin okupatorin. Për shkak të detyrës së tyre të përbashkët, afrisë dhe përcaktimit të angazhimit në Shqipëri, këta u quajtën ‘Tre Musketarët’. Së pari shkuan te partizanët e Enver Hoxhës dhe më vonë te forcat nacionaliste, të cilat i preferuan më shumë se ato komuniste.
Në vitin 1944, Londra vendosi që t’i përkrahte më shumë forcat partizane të Enver Hoxhës, sikur edhe ato të Titos në Jugosllavi dhe ‘Tre Musketarët’ u tërhoqën nga Shqipëria. Ky vendim i Londrës, gjegjësisht i Churchill-it, që mundësoi fitoren e komunistëve në Shqipëri dhe në Jugosllavi, ka shkaktuar një debat që vazhdon edhe sot. Kjo ka krijuar bazën për përhapjen e një teorie konspirative që thotë se në komandën britanike në Kajro, e më vonë në Bari, kanë ekzistuar disa oficerë komunistë që kanë ndikuar në këtë vendim që solli fitoren e Enverit në Shqipëri dhe të Titos në Jugosllavi. Por, kjo nuk është e vërtetë. Churchill-i vendosi t’i përkrahte partizanët e Shqipërisë dhe Jugosllavisë për arsye se këto forca ishin më aktive në luftë kundër okupatorit italian dhe gjerman.
Në vitin 1948, ‘Tre Musketarët’ u aktivizuan sërish. Tani kishte filluar Lufta e Ftoftë dhe gjërat po ndryshonin. Shqipëria komuniste po bëhej bazë ushtarake ruse kur në të njëjtën kohë Jugosllavia po largohej nga ndikimi rus. Greqia ishte në gjendje kaosi. Në përgjigje të situatës, në instanca të larta, britanikët dhe amerikanë kishin hartuar një plan: Shqipëria të nxirrej nga sfera komuniste sovjetike. Me këtë gjë, nëse do të ndodhte, do të stabilizohej Greqia dhe do të krijohej një vijë e plotë antiruse që do të krijonte siguri për Evropën Perëndimore.
Prandaj, një ditë, shërbimi sekret britanik (MI6) e kontaktoi Julian Amery-in për ta pyetur nëse do ta pranonte një detyrë që do t’i printe zbatimit politik të këtij plani. Pa e ditur Amery, ky shërbim i kishte kontaktuar edhe ‘Dy Musketarët’ tjerë. Që të tre misionin në Shqipëri e konsideronin edhe si punë personale, pasi që ishin të mllefosur që miqtë e tyre nacionalistë kishin humbur luftën dhe tashti kishte ardhur rasti që kjo padrejtësi të korrigjohej. Prandaj, e pranuan detyrën e re me kënaqësi të madhe.
Julian Amery udhëtoi në Romë për të kryer një ‘Mission Impossible’: për të krijuar konsensusin politik në mes shqiptarëve. Por, ia doli. Atje e takoi Vasil Andonin dhe Abas Ermenjin, por mungonin dy figura tjera prominente: Mit’hat Frashëri dhe Abaz Kupi. Abaz Kupi gjendej i ngujuar në Greqi dhe ky shtet nuk e lëshonte të dilte jashtë. Por, me ndihmën e MI6-shit, Abaz Kupi u soll në Romë e madje udhëtoi me aeroplan nga Athina. Kur edhe Mit’hat Frashëri erdhi nga Stambolli, Amery e takoi edhe Ahmet Zogun dhe ua zbuloi planin i cili përafërsisht thoshte: një forcë e diversantëve shqiptarë do të dërgohej në Shqipëri, e cila do ta zgjeronte aktivitetin për ta rrëzuar Enver Hoxhën nga pushteti, dhe do ta përmbyste komunizmin në Shqipëri; pastaj, do të organizoheshin zgjedhjet e lira dhe do të vendosej demokracia; Shqipëria do të hynte në sferën e Perëndimit dhe do ta kishte ndihmën e plotë ekonomike dhe politike të Perandorisë Britanike dhe superfuqisë tjetër, Amerikës.
Përkundër ndasive dhe hezitimeve, këto personalitete shqiptare nuk mund ta refuzonin këtë plan që dukej ideal. Shumë shpejt filloi organizimi dhe u lajmëruan rekrutë vullnetarë më shumë se që duheshin. Në Maltë, David Smiley filloi stërvitjen e tyre.
Plani kërkonte përkrahjen e Jugosllavisë dhe të Greqisë. Uashingtoni dhe Londra urdhëruan ambasadorët e tyre në Beograd që ta takonin Titon dhe ta merrnin përkrahjen e tij. Pasi që Tito ishte larguar nga ndikimi sovjetik dhe ishte afruar me Perëndimin, mendohej se ai do ta përkrahte planin anglo-amerikan të intervenimit në Shqipëri. Por, nuk doli ashtu. Tito, duke qenë strateg, e kishte diktuar që ky plan ishte i rrezikshëm edhe për të. Sipas këtij plani, Shqipëria do të largohej nga komunizmi, do të demokratizohej, do të zhvillohej ekonomikisht dhe do të hynte nën kujdesin anglo-amerikan. Prandaj, Tito, i këshilluar edhe nga Kardeli, nuk pranoi të ndihmonte në asnjë segment. Tekefundit, pse ta ndihmonte Tito një plan të huaj kur ai e kishte planin e vet me të cilin vazhdimisht e mbante Shqipërinë nën ndikim dhe nën presion.
Julian Amery shkoi në Greqi për të siguruar ndihmën e këtij shteti që diversantët të ndihmoheshin në rast se tërhiqeshin nga Shqipëria në territor të këtij shteti. Edhe kjo ishte punë e vështirë, por ia doli që ta merrte premtimin nga ushtria dhe policia greke. Dhe, kështu filloi zbatimi i planit, i cili dihet se si dhe pse përfundoi me debakël, kurse Shqipëria mbeti nën mëshirën e komunizmit të egër.
Sidoqoftë, Julian Amery e mbante në mend një moment interesant që kishte ndodhur në shtëpinë e tij, kur në Londër i kishte sjellë anëtarët e Komitetit Shqiptar që ishte angazhuar në këtë plan. Pas drekës kishin dalë për shëtitje në oborr. Abaz Kupi kishte parë një gjarpër në kopsht, pas të cilit kishte vrapuar dhe e kishte kapur. Si fshatar që ishte, nuk frikohej nga gjarpri. Por, me gjarpër e ndiqte nëpër oborr Mit’hat Frashërin i cili, si tip urban, ikte nga frika. Amery, me humor thoshte: ’”Abazi dëshironte ta provonte nëse gjarpri ishte helmues”.
Julian Amery e ka mbajtur veten për mik të shqiptarëve. Por, ekzistojnë fakte që vërtetojnë se në një drekë në Ambasadën e Jugosllavisë në Londër, kur është folur për Shqipërinë, Amery ka sugjeruar se ndarja e këtij vendi me Jugosllavinë dhe Greqinë mund të ishte zgjidhje e mirë. Tashti, kjo është një thënie ndoshta e pakujdesshme, por shumë problematike për dikën që i thoshte vetes mik i Shqipërisë. Por, duhet pasë parasysh që te politikanët britanikë ka ekzistuar një dashuri e madhe për Jugosllavinë, sidomos për atë të Titos. Kështu ka qenë deri më 1997 kur Tony Blair e ndërroi kahjen.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëMemli heq fotot e Nënës Terezës dhe Ibrahim Rugovës
Po ndodh eksodi nga “X”-i drejt “Bluesky”-t: Ka përfunduar epoka e platformave masive të mediave sociale!
Dosja osmane për jetën e Ismail Qemalit dhe disa reflektime të gazetave osmane ndaj pavarësisë së Shqipërisë
Dikur të këqijtë e Holivudit ishin rusë ose kinezë, tani jemi ne - njerëzit nga Ballkani
KOSOVË
LETRA
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Platforma ku mund ta shikoni duelin e vitit Jake Paul - Mike Tyson
Cristiano Ronaldo po largohet nga Al Nassr shkaku i garës së FIFA-s
Publikohet lista e plotë me rregullat kontroverse për luftën Mike Tyson - Jake Paul
Trump dëshiron ta mbyllë Departamentin e Arsimit - çfarë do të thotë kjo për edukimin shkollor
Ledri Vula e pranon se ka fjetur me një fanse
John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët