Murati tha se LDK-ja është definicioni i propagandës, reagon Bajrami: Ministri i dështimeve kapitale po e arsyeton korrupsionin qeveritar

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili tha se LDK-ja është vetë definicioni i propagandës.
Reagimi i ministrit Murati erdhi pasi kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një video-adresim në Facebok, tha se çdo postim i Qeverisë dhe çdo deklarim i tyre është i mbushur me propagandë.
Murati, duke i reaguar Abdixhikut, tha se “janë çu i madh e i vogël në LDK tash e disa ditë duke dredhë numra e grafikona, vetëm e vetëm që ta bindin ndokë se rrenat e tyre janë të vërteta. Në fakt, kjo çfarë po bën LDK-ja është vetë definicioni i propagandës - që një rrenë duhet të përsëritet mjaftueshëm derisa të fillojë të bëhet e besueshme”.
Ndaj deklarimeve të ministrit Murati, i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetes së LDK-së, e cila ka thënë se “Ministri i dështimeve kapitale po e arsyeton korrupsionin qeveritar”
“Qeverinë e dështimeve, të korrupsionit, të tenderëve njëburimor dhe të tenderëve sekret e ka kapur paniku se po i dalin për çdo ditë dështimet në shesh”, ka shkruar Bajrami në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.
Ajo tha se “më së shumti kanë nisur të brengosën ministrat që kanë shënuar rekorde dështimi. Njëri prej tyre është Hekuran Murati, i cili po tenton të mbulojë krimin e korrupsionin me tenderët njëburimor dhe dështimet në investime kapitale”.
“Në vend të 160 çerdheve e keni ndërtuar një urë. Do të mbaheni mend si Qeveria e ‘Urës së Staradranit’. Keni premtuar ulje të çmimit të energjisë elektrike, e do të mbaheni mend që keni ngritur çmimin për ta ndihmuar Martin Berishajn”, ka shkruar ajo.
Bajrami më tej tha “hajde përkraheni Komisionin Hetimor për tenderët njëburimor dhe ta shohin të gjithë krimin e korrupsionin që ka kapluar këtë Qeveri”.
“Jeni të paaftë, të korruptuar dhe s'mund të fshiheni prapa askujt sepse tanimë të gjithë ju njohin dhe po e dimë që po të pengojmë por s'do të ndalemi”, ka shkruar ajo. /Telegrafi/























































