LAJMI I FUNDIT:

MSA, Qeveria përmbushi vetëm 26 për qind të kritereve nga BE-ja

MSA, Qeveria përmbushi vetëm 26 për qind të kritereve nga BE-ja

Përderisa Marrëveshja e Stabilizim Asoocimit (MSA) është marrëveshja e parë kontraktuale midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian, dhe është konsideruar si mjaft e rëndësishme për vendin tonë, Qeveria e Kosovës ka realizuar vetëm 26 për qind të kritereve të kërkuara nga BE, edhe pse kjo marrëveshje ka hyrë në fuqi prej 1 prillit 2016.

Me monitorimin që i ka bërë Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), planit të veprimit të kësaj marrëveshje, nuk ka arritje të implementimit në tërësi për kriteret e MSA-së, ngase sipas hulumtueses në organizatën GSJP, Albana Merja, marrëveshja për MSA është shumë komplekse.

“Është marrëveshje shumë komplekse dhe nuk pritet të ketë arritje kaq shpejt, por të paktën edhe ato që janë nënshkruar dhe ato që vet Qeveria i ka marrë përsipër për t’i bërë brenda këtij viti nuk janë realizuar. Në gjashtë mujorin e parë janë realizuar vetëm 26-27 për qind. Dhe me po me të njëjtat ritme ka ecur edhe pjesa e dytë e vitit”, ka thënë Merja.


Ndërsa, zëvendësministrja e Integrimeve Evropiane, Anila Statovci, nuk ka qenë në gjendje që të tregojë për KosovaPress për rezultatin e arritur për sa i përket kësaj marrëveshje, ngase sipas saj, është vështirë të raportohet për masa konkrete.

Ndër fushat më komplekse sipas Statovcit hyjnë transpozimi dhe adoptimi nga ana e Kosovës të standardeve të tregut të brendshëm, shërbimeve, politikat e konkurrencës dhe ndihmës shtetërore si dhe aspektet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë.

Kurse, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka thënë për KosovaPress se dikaster më i komplikuar dhe sfidues mbetet infrastruktura e cilësisë, në veçanti dikasteri i metrologjisë, për shkak të natyrës shumë specifike të sektorit dhe numrit të vogël të zyrtarëve që punojnë në agjencinë e metrologjisë në raport me kërkesat e tregut dhe portfolion që mbulon agjencia, por edhe mungesës së vetëdijes së bizneseve për t’i përdorur mekanizmat e infrastrukturës së cilësisë.

Ajo tha se Qeveria ka hartuar planin e implementimit me objektiva deri në vitin 2020 dhe me masa konkrete të cilat përditësohen çdo vit.

Bajrami ka treguar se tani kanë hartuar draftin e aktiviteteve të cilat do të realizohen në zbatim të këtij plani në vitin 2017, ndërsa aktualisht janë duke e zbatuar planin e vitit 2016, i cili ishte aprovuar në Qeveri në fillim të këtij viti.

Ndërsa, sipas ministrit të Financave, Avdullah Hoti, për vitin 2016 janë rreth 50 milionë euro më pak të hyra për shkak të politikave fiskale dhe të marrëveshjes së implementuar të MSA-së.

Ndryshe, në një ceremoni zyrtare në Doganën e Kosovës, kur nisi zbatimi i MSA-së më 1 prill, ishte quajtur kjo marrëveshje nga zyrtarë të lartë të shtetit si historike për Kosovën. /Telegrafi/