Ministria e Punëve të Brendshme ka sqaruar rregullat për përdorimin e xhamave të errët në automjete, duke theksuar se lejohet vetëm për automjetet që janë prodhuar si të tilla nga fabrika. Vendosja e letrës së errët ngjitëse për hijezim të xhamave është e ndaluar, përveç rasteve të jashtëzakonshme me leje të Ministrit.

Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar një reagim për opinionin publik, duke sqaruar rregullat për përdorimin e xhamave të errët në automjete.


Sipas njoftimit, përdorimi i xhamave të errët “është i rregulluar qartë me Ligjin Nr. 05/L-132 për Automjete dhe me Udhëzimin Administrativ (MPB) Nr. 12/2024 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 04/2023 për Regjistrimin e Mjeteve, konkretisht me nenin 7 të këtij udhëzimi”.

Ministria thekson se “lejohet përdorimi i xhamave të errët vetëm për automjetet që janë të prodhuara si të tilla nga prodhuesi”, ndërsa vendosja e letrës së errët ngjitëse për hijezim të xhamave është e ndaluar, përveç rasteve të jashtëzakonshme me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme, pas paraqitjes së kërkesës së arsyetuar dhe dokumentacionit mbështetës.

Në njoftim theksohet gjithashtu se “çdo interpretim apo praktikë që bie në kundërshtim me këto dispozita nuk ka bazë ligjore dhe cenon zbatimin e njëtrajtshëm të legjislacionit”.

Ministria u bën thirrje qytetarëve dhe institucioneve “të respektojnë dhe zbatojnë dispozitat ligjore në fuqi dhe të mos bien pre e keqinformimeve lidhur me këtë çështje”, duke shtuar se çdo shkelje do të trajtohet “në përputhje me legjislacionin në fuqi”.