Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se Shqipëria të premten do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, në orët e pasdites mot me vranësira të pakta kryesisht në veri të vendit.


Reshjet e shiut parashikohen të jenë prezentë që në orët e para të 24-orëshit, fillimisht në veriperëndim e gradualisht do të shtrihen në pjesën tjetër të vendit.

Reshjet do të jenë me intensitet të ulët deri mesatar, lokalisht shtrëngata afatshkurtra.

Në veriperëndim - perëndim dhe pjesërisht në qendër (qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës dhe Tiranë) reshjet parashikohen të jenë me intensitet mesatar deri të lartë, hera-herës reshje në formën e shtrëngatave dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe lokalisht breshër deri në orët e mëngjesit.

“Gjatë ditës reshjet e shiut do të mbeten prezentë të herëpashershme në pjesën më të madhe të vendit por me intensitet të ulët deri mesatar. Gradualisht pas orëve të mesditës reshjet e shiut humbasin intensitet, duke mbetur prezentë të herëpashershme por me intensitet të ulët. Në mbrëmje ndërprerje të reshjeve”, thuhet në njoftim.

Era do të fryjë me drejtim juglindje – jugperëndim me shpejtësi mesatare 8 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare hera-herës do të fitojë shpejtësi deri në 20 m/s.

Deti - Valëzimi forcës 4-5 ballë. /Telegrafi/